Bekim Balaj dhe 2 sezone kuqeblu / “Topi i Artë” i Superligës shqiptare nënshkruan me Vllazninë

Bekim Balaj do të jetë futbollist i Vllaznisë të paktën edhe për dy sezone të tjera, pas përfundimit të aktualit. Klubi kuqeblu ka njoftuar për zgjatjen e kontratës me bomberin kuqeblu deri në fund të sezonit 2026- 2027.
“Me Bekimin, kuqeblu deri në 2027. KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se rrugëtimi jonë do të vazhdojë së bashku me kapitenin tonë edhe për dy sezone të tjera. Suksese Bekim Balaj!”, shkruhet në publikimin e klubit shkodran në rrjetet e tij sociale.
Bekim Balaj ka festuar 34 vjetorin me 11 janar të këtij viti, por specialistët e futbollit që e ndjekin në përditshmëri, vlerësojnë se ai po përjeton një rini të dytë.
Tregues është sezoni i fundit i Superiores, ku Bekim Balaj ishte jo vetëm golashënuesi më i mirë, por fitoi edhe trofeun “Topi i artë” nga FSHF. Edhe këtë sezon, Balaj është golashënuesi më i mirë i Superiores.
Bomberi shkodran ka një karrierë të gjatë brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku ka spikatur me golat e tij.
Në shkurt të vitit 2011, ai u transferua nga Vllaznia drejt Turqisë, për t’u rikthyer tek Tirana sezonin pasardhës.
Nga viti 2012 deri me 14 janar 2023, kur iu bashkua Vllaznisë, Balaj ka luajtur në disa kampionate të vendeve të ndryshme të Evropës.
Me Kombëtaren e Shqipërisë ai është aktivizuar në 48 ndeshje, duke shënuar 9 gola. Ndoshta më I paharruari është ai ndaj Portugalisë së Ronaldos. Ai është aktivizuar edhe me Kombëtaret U-19 dhe U-21 në 21 ndeshje, ku ka shënuar po ashtu 9 gola.