Ben Andoni për Berishën nën arrest dhe mbështetësit tij: Nuk ka kult individi, as turmë me 200 veta
Figurat e admirueshme për cilësitë e tyre artistike, politike apo njerëzore përsëriten historikisht në çdo vend, duke e ngritur individin në një mit.
Kulti i individit u hodh për debat edhe në studion e “Jetë shqiptare” mes studiuesve.
Analisti Ben Andoni tregoi pse shoqëritë priren t’i mitizojnë personazhet.
“Ndryshon kulti i individit, nga influencer-at dhe qeniet e tjera që turma i kërkon për ushqim, sepse edhe turma është organizëm i gjallë. Turma gjithmonë përfshin nivelet mesatare dhe nën mesataren. Ajo kërkon jo vetëm të identifikohet me një personazh, por edhe të projektojë cilësitë e veta dhe të marrë cilësitë që ka te dikush. Kulti i individit gjithmonë shfrytëzon disa elemente: e para demagogjinë; e dyta, masmedien; dhe e treta, të ngresh disa cilësi specifike që i sjell një kohë e caktuar. Për shembull, Stalini ngriti apoteozën e vet në Luftën II Botërore. Po të lexoni kujtimet e tij, i mbuloi të gjitha gjërat dhe projeksionet i kaloi te vetja,” u shpreh Andoni.
Sipas analistit, ka pak njerëz që bëhen kult. Nisur nga zhvillimet e fundit politike, kur ish-kryeministri Sali Berisha është nën arrest shtëpiak dhe përdor çdo hapësirë për t’u ekspozuar para mbështetësve, Andoni tha se kreu i demokratëve nuk është realisht një “individ kulti”.
“Ai ka projeksion historik, sepse të kesh kult individi duhet të kesh shumë kohë në pushtet, shumë fuqi dhe me fuqinë tënde duhet të përcjellësh eksperimente në inxhinierinë sociale. Kulti i individit përdoret për të bërë ndryshime në inxhinierinë sociale. Nuk është turmë 200 veta. Kur them inxhinieri sociale, ke fasha shoqërore, fasha brezash. Kur dilte Enver Hoxha qanin njerëzit dhe mbajtën radhë në funeralin e tij. Tani mund të qeshësh, por atëherë qaje. Ishte ndjenjë, sepse është kaq e projektuar dhimbja dhe gëzimi i tij te e jetoja, saqë prevalon mbi gjithçka tjetër,” tha z. Andoni.