Benzema padit për shpifje Ministrin e Brendshëm të Francës
Karim Benzema ka paditur për shpifje Ministrin e Brendshëm të Francës, Gerald Darmanin, që tetorin e kaluar deklaroi se ish-ylli i Realit të Madridit ka lidhje të njohura me organizatën “Vëllazëria Myslimane”.
Darmanin kishte kritikuar Benzemanë, pasi sulmuesi i Francës kishte postuar në rrjetin social “X”, në mbështetje të banorëve të Gazës, që sipas tij, ishin viktima të “bombardimeve të padrejta” nga Izraeli, në shenjë kundërpërgjigjeje pas sulmit të Hamasit në 7 tetor.
Darmanin kishte reaguar duke thënë se lojtari “ka lidhje të njohura me organizatën “Vëllazëria Myslimane”, një grupim islamik radikal me origjinë në Egjipt. Padia e Benzemasë është paraqitur nga avokati i tij Hugues Vigier, që pretendon se këto deklarata “minojnë” nderin dhe reputacionin e lojtarit.
Benzema që është mysliman ka theksuar se “nuk ka patur asnjë kontakt apo lidhje me organizatën Vëllazëria Myslimane dhe nuk njeh asnjë anëtar të saj”.