Beqaj kërkon të dalë nga burgu, avokati: S’përbën rrezik për t’u larguar

Ish ministri I Shëndetësisë Ilir Beqaj ka ankimuar vendimin “arrest me burg” në Gjykatën e Apelit për të kërkuar lehtësim të masës së tij të sigurisë. Avokati i Beqajt shprehet se ish ministri nuk përbën rrezik për t’u larguar jashtë vendit.
“Nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për masën shtrënguese “arrest me burg” dhe po ashtu nuk ka rrezik për t’u larguar jashtë vendit dhe për të prishur provat” tha avokati.
Ish ministri Beqaj u arrestua pas vendimit të GJKKO lidhur me çështjen e abuzimit me fondet kur ai drejtonte SASPAC. Beqaj u arrestua më 4 korrik, pasi akuzohet për prokurime fiktive në të paktën 8 raste në kohën kur ky ka qenë drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Sipas SPAK janë zhvilluar prokurime fiktive që nuk kanë kaluar përmes një procedure të rregullt ligjore dhe se këto abuzime bëheshin mes Ilir Beqajt në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, gjithashtu i arrestuar, i cili në atë periudhë drejtonte projektin EUSAIR pjesë e SASPAC përgjatë viteve 2022-2023.