Berisha: Do të dyfishojmë rrogat e arsimtarëve dhe buxhetin për arsimin!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike synon të dyfishojë rrogat e arsimtarëve dhe buxhetin për arsimin, duke e cilësuar reformimin e këtij sektori si një prioritet madhor. Gjatë një fjalimi, ai kritikoi tarifat e larta universitare në Shqipëri, duke i quajtur më të lartat në Europë në raport me pagat mesatare.
Në fjalimin e tij gjatë prezantimit të programit të PD për arsimin dhe shkencën për periudhën 2025-2029, Berisha tha se, “Sot, tarifën më të lartë e kanë universitetet britanike dhe holandeze, por nëse krahasojmë pagat mesatare në këto vende me ato në Shqipëri, del se studentët tanë paguajnë më shtrenjtë. Kjo është një padrejtësi e madhe”.
Ai e cilësoi këtë situatë si pasojë të keqmenaxhimit dhe korrupsionit në sektorin e arsimit, duke theksuar se është e nevojshme një reformë e thellë. Berisha premtoi se transformimi i arsimit do të bazohet në dixhitalizimin e tij, përmes aplikimit të teknologjive më të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale dhe analizën e të dhënave të mëdha.
Sipas Berishës ,“U caktuan tarifat më të larta në Europë për universitetet, më të lartat. Sot, tarifën më të lartë e kanë universitetet britanike dhe holandeze, pas tyre. Po në qoftë se, proporcionojmë rrogat e qytetarëve të Britanisë së Madhe dhe të Mbretërisë së Holandës me rrogat e shqiptarëve, ju garantoj se tarifat e studentëve në Shqipëri dalin më të larta se të tyre. Dhe pa proporcionim, janë më të larta se të çdo vendi tjetër në Europë.
Asnjë rrugë tjetër dhe mundësi nuk ka, përveç transformimit digjital të sistemit tonë arsimor. Aplikimit, vendosjes së tij në shtyllat e teknologjisë së sotme më bashkëkohore.
Berisha theksoi se shumë teknologji, si kompjuterët dhe interneti në shkolla, janë zhdukur ose vjedhur. Sipas Berishës, shkolla e drejtorëve është shndërruar në një “shkollë partie”, ku drejtorët janë kualifikuar sipas lidhjeve politike, dhe portali “Një mësues për Shqipërinë” është bërë një mjet militantizmi. Berisha gjithashtu akuzon qeverinë për keqpërdorimin e fondeve për ndërtimin e shkollave dhe për krijimin e një sistemi arsimor që ka dëmtuar cilësinë e arsimit në vend.