Berisha e akuzoi për kopjim të programit, Rama: Qesharake! Nuk u kopjua Kodi i Da Vinçit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të opozitës se ka kopjuar programin e saj. Ai e cilësoi këtë akuzë si “gjëja më qesharake në botë”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë sekret të rëndësishëm, por për një program që, sipas tij, është i hapur dhe i kuptueshëm për të gjithë.
“Iu qajnë hallin pensionistëve dhe që iu kopjua programin. Gjëja më qesharake në botë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë kod atomik. A thua se bëhet fjalë për ndonjë kod kasaforte, të ndonjë sekreti, Kodi i Da Vinçit”, tha Rama.
Më herët kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se mazhoranca po kopjon programin e opozitës, pasi nuk ka alternativë për qytetarët shqiptarë.
Gjatë rubrikës “Sy m’Sy”, Rama ka kërkuar votën për socialistët në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se kjo është një mundësi për të dërguar një mesazh të fuqishëm edhe në Bruksel. Ai ka theksuar se për Shqipërinë është jetike që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të vazhdojë dhe të marrë mbështetje të fortë nga qytetarët.
“Mesazhi duhet të jetë i qartë, ne shqiptarët, populli shqiptar, qytetarët e Shqipërisë duam të hyjmë në BE tani. Dhe me këtë mandat, mesazh, unë dhe ne do të shkojmë dhe do të kemi një argument të fortë më shumë për të nxitur procesin. E gjitha një luftë diplomatike, politike nga të katër anët dhe kush nuk e kupton këtë nuk kupton asnjë gjë se si funksionon bota dhe marrëdhëniet ndërkombëtare për një vend si Shqipëria, se për vende si Franca apo Gjermania ka më pak rëndësi se kush është në krye. Për një vend si ne është themelore. Si mund t’i vihet BE përpara bufi i kënetës dhe atë kënetë të madhe dhe BE të thotë se s’ka ndodhur asnjë gjë. Duhet një shumicë domethënëse. Nuk është rastësi, dhe nuk është thjesht për kë do votojë më 11 maj. Është dhe për ata në Bruksel imazhi i fushatës sonë, ndërthurja e ngjyrave dhe e flamujve. Ne po bëjmë një rrugë e dy punë, po japim një mesazh të qartë shqiptarëve, po përpiqemi t’i japim mesazh Brukselit duke shpresuar dhe besuar që shqiptarët do ta mbështesin këtë mesazh. Më 11 maj Brukseli do marr mesazh që një shumicë përtej shumicës partiake, kërkon anëtarësimin tani”, tha Rama.