Berisha flet para varrit të Ismail Qemalit: Pashiqin shqiptar, Edi Ramën, do e dërgojmë në Beograd
Ish-kryeministri Berisha ka vendosur kurora me lule tek varri i Ismail Qemalit, tek Sheshi i Flamurit në Vlorë.
Ai është treguar i ashpër edhe sot ndaj kryeministrit Rama për të cilin ka thënë se “Pashiqin shqiptar do e dërgojmë në Beograd, aty ku e ka vendin”
Duke folur për aktin patriotik të Ismail Bej Vlorës në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Berisha theksoi se “pa këtë akt, Shqipërinë dhe shqiptarët i prisnin greminat, honet e historisë”.
Gjithashtu Berisha bëri edhe një betim para varrit të Ismail Bej Vlorës se shqiptarët do ta dërgojnë Edi Ramën në Beograd, atje ku e meriton.
“Sot, ata janë anëtarë të NATO-s, Kosova është e pavarur. Por unë erdha këtu për t’u betuar para varrit të Ismail Bej Vlorës, se Pashiqi shqiptar, që sapo ka vendosur kurorën aty, e ka të fundit, sepse shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin. Tradhtar si ky, kombi nuk ka pasur ndonjëherë në histori”, ka theksuar Berisha për mediat.
Berisha shtoi se “ky është një zotim solemn përpara Babait të Pavarësisë se edhe njëherë, Pashiqi nuk do ketë vend në Tiranë, por të shkojë në Beograd te padroni i tij Vuçiç”