Berisha: Garda ishte e armatosur. Personi që qëndronte pas Salianjit kishte revole nën sqetull
Pas mbledhjes së grupit të tij, ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se në sallën e Parlamentit në seancën e sotme plenare, një prej gardistëve ka qenë i armatosur. Ai u shpreh se po ashtu, në sallë ka qenë dhe një Prokurorë i SPAK-ut.
Berisha e akuzoi SPAK-un si një organizatë kriminale e cila sipas tij, komandohet nga Kryeministri Edi Rama.
“Personi që qëndronte prapa zotit Ervin Salianji, ka qenë i armatosur me revole të fshehur ndër sqetull. Ky përbën një akt të paprecedent në historinë e këtij parlamenti.
Të tjerë persona të armatosur janë parë përreth parlamentit, por në sallë kjo nuk ka ndodhur në memorien time, asnjëherë. Këtu tek zyra e kryetares ishin pozicionuar, ju siguroj ju, më shumë roje se kur qëndronte Enver Hoxha në atë zyrë.
I gjithë ky qëndrim përcaktohet nga refuzimi për t’u hetuar nga komisioni hetimor parlamentar siç e përcakton ligji. Por ne nuk do pranojmë mohimin e këtyre të drejtave. Ne nuk mund të themi se në zbatim të këtyre të drejtave do hetojmë Subashin në Fier e të mos hetojmë dot Ramën e ministrat e tij. Subashi është i implikuar thellë, por ne duam të zbatohet Kushtetuta.
A e dini se sot SKAP-i është në parlament? S’ka asnjë vepër penal. SKAP-i një organizatë e vërtetë kriminale që komandohet nga Rama është në sallën e Parlamentit.
Është një vegël e verbër e Edi Ramës. Kemi prova se garda ishte e armatosur sepse personi i cili fizikisht u shty dhe u kap me Ervin Salianjin e detyroi këtë ta shtynte dhe ai kishte armë nën xhiletin. Është SKAP-i brenda. Ka një prokuror të SKAP-it në sallë. U mendua se ishte policia fillimisht”, u shpreh Berisha.
Ky i fundit ftoi popullin opozitar që t’iu bashkohet në betejën pa kthim. Berisha theksoi se një reagim mbarëpopullor, do të jetë finalizim i përpjekjes së opozitës.
“Ju garantoj se këtë betejë pa kthim, nuk mund të ndalojë deri në rikthimin e plotë të të drejtave kushtetues e të deputetëve në parlament. Ftoj popullin opozitar ta ndjekë këtë betejë dhe natyrisht deputetët janë të lidhur pazgjidhshmërisht me popullin opozitar. Një reagim mbarëpopullor do jetë finalizim i kësaj përpjekje”, tha Berisha.