Berisha humb Apelin, mbetet “non grata” në Britani: “Akt turpi, do vazhdoj rrugën e drejtësisë”
Kreu i demokratëve, Sali Berisha, humbi të hënën gjyqin për t’u çliruar nga statusi “non grata” i vendosur nga Britania e Madhe prej dyshimeve për korrupsion dhe lidhje kriminale.
Verdikti për vendimin e vitit 2022 u apelua në Komisionin e Posaçëm të Apelit të Emigrimit në Londër në muajin mars, me besimin se akuzat që rëndonin ndaj Berishës ishin të pabazuara dhe të nxitura politikisht.
Këto pretendime të kryedemokratit u hodhën poshtë në formë të shkruar nga Liza Xhovaneti (o. Lisa Giovannetti), përfaqësuesja e Zyrës së Brendshme të Komisionit.
“Sekretari i Shtetit kishte të drejtë kur arriti në përfundimin se paditësi ka qenë i përfshirë në krim të rëndë të organizuar dhe korrupsion. Ai përdori lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe ata të përfshirë në kriminalitet për përfitimin e tij,” shpjegoi znj. Xhovaneti në konkluzionet e saj.
Mes akuzave për t’i ndaluar hyrjen në vend z. Berisha përmendet edhe ish-këshilltari i tij për zgjedhjet, Damir Fazliç. Sipas palës britanike, kur ishte në qeveri, kreu i demokratëve nxori vendime që i leverdisnin biznesmenit boshnjak për të investuar në prona kundrejt çmimeve të ulëta, ndërsa kur u njoftua nisja e hetimeve për pastrim parash ndaj tij në 2008-ën, Berisha e mbrojti z. Fazliç nga akuzat.
Përgjigjet Berisha: Duan të ndalin opozitën përballë pushtetit të korruptuar
Vendimin e Komisionit të Posaçëm të Apelit në Britaninë e Madhe (SIAC), z. Berisha e quajti “një kat në monumentin e korrupsionit dhe turpit”.
Shefi i partisë më të madhe opozitare se vërtetësia e provave dhe e akuzave të ngritura ndaj tij nuk ishin marrë parasysh, por vetëm provat e Sekretarisë britanike, që e shpalli atë non grata.
“Kjo provon qartë se, jo vetëm SIAC nuk ka hetuar zbulimin e të vërtetës siç pohon vete, por edhe se vendimi i Sekretares është marrë në bazë të artikujve të medieve të sponsorizuara nga Sorosi dhe deklaratave të kundërshtarëve të mi politikë: Rama, Basha, Veliaj.
SIAC gjithashtu pohon në vendimin e vet se s’ka vlerësuar fare mijëra faqe prova dhe dëshmi të paraqitura nga avokatët e z. Berisha, me pretendimin se janë paraqitur jashtë afatit. Ndërkohë që ato janë dorëzuar absolutisht brenda afatit, por zyrtarët ligjorë të Home Office nuk ia kanë paraqitur Sekretares së këtij institucioni më qëllim që ajo të mos njihej me përmbajtjen dhe për rrjedhojë të mos pranoheshin më pas nga SIAC,” njoftoi z. Berisha në një deklaratë për shtyp.
Ai akuzoi ambasadorin britanik në Shqipëri, Alastair King Smith, si iniciues të procesit penalizues kundër tij, duke e quajtur “ambasador të korruptuar nga lobimi i Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës”.
Ndërkohë z. Berisha i konsideroi shpifje akuzat ndaj vajzës së tij, se ka përfituar financiarisht gjatë kohës kur ai ishte në krye të qeverisë.
“Rastet e paraqitura janë tregues që nuk ka asnjë provë apo fakt për asnjë veprim të paligjshëm nga lideri i opozitës, por duken qartë se janë përpjekje për të ndaluar opozitën të sfidojë pushtetin e korruptuar, që eksporton krim të organizuar, por që pranon të marrë refugjatë sipas dëshirës së kërkuesve/lobuesve.
Sa mund të mbulohet dielli me shoshë, aq mund te humbe e vërteta nën mashtrime. Mbetem i bindur se rruga e drejtësisë që do të vazhdoj do t’i shërbejë të vërtetës dhe do të godasë në mënyrë të merituar korrupsionin transnacional,” tha kryedemokrati në reagimin e tij.