Berisha: Intelektualët të mbeten kritikë ndaj pushtetit!
Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë Sali Berisha, u bëri thirrje intelektualëve të mbeten kritikë ndaj pushtetit.
Zoti Berisha i bëri deklaratat e tij ndërsa mori pjesë në promovimin e librit të publicistit Ndriçim Kulla, “Narkodiktatura shqiptare në oborrin e Europës”. Sipas librit Administrata Biden – Blinken e ndihmoi ndërsa Europa heshti.
Zoti Berisha tha se “ky libër është një kushtrim, një thirrje për çdo intelektual, të mos harrojmë kurrë se ai duhet të jetë grindës i përjetshëm me pushtetin. Njeriu modern është njeri kritik!” tha ai.
Kreu i PD, tha se “asnjë komb tjetër nuk ka kontribuar në lirinë e shqiptarëve sa kombi amerikan. Por ky komb ka pasur edhe në të shkuarën e tij njollat e zeza të grushteve të shtetit”. “Historia tregon se rrëzimi i Mosadekut në Iran ishte një nga gabimet më të mëdha historike që u bë, dhe u rrëzua nga shërbimet e fshehta anglo-amerikane” tha kreu i opozitës shqiptare.
Edhe më tej zoti Berisha i cili bashkë me familjen e tij të ngushtë është shpallur “non grata” nga administrata amerikane për korrupsion tha se “Në Shqipëri, Sekretari i Shtetit, administrata u angazhua në një grusht shteti”. Duke këmbëngulur në këtë deklaratë ai tha se “Sovraniteti i një vendi është i jashtëm, ka integritetin territorial, pavarësinë. Por është edhe i brendshëm. Sovraniteti i jashtëm është shkretëtirë nëse kombet nuk kanë edhe sovranitetin e brendshëm. Në diktaturë nuk ka sovranitet të brendshëm, ka sovran që ka të gjithë pushtetin në duart e tij”, u shpreh Berisha.