Berisha: Kam marrë 600 mijë vota nga shqiptarët, s’më rrëzon dot njeri nga PD
Ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se ai ka votëbesimin e demokratëve kur ka marrë 600 mijë vota në zgjedhjet e fundit.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për Kuvendin e 2 dhjetorit, Berisha theksoi se ai ndihet më i fuqishëm aktualisht ndërsa ftoi që të garojë ndaj kushdo që merr më shumë vota se sa ai.
“Si mund të më shqetësojë, kur Sali Berisha në kushtet më të jashtëzakonshme u votua nga mbi 600 mijë shqiptarë. Vetëbesimi i pakufishëm i shqiptarëve. Të dalë një burrë tjetër dhe të marrë 600 mijë vota në këtë vend, pa i vjedhur siç i vjedh Edi Rama. Berisha i 3 është më u fuqishëm se çdo Berishë tjetër, gjer sot.
Berisha nga kryesia e Kuvendit: U votova nga mbi 600 mijë shqiptarë. Të dalë një burrë tjetër dhe të marrë 600 mijë vota në këtë vend, pa i vjedhur siç i vjedh Rama”, u shpreh Berisha nga Kryesia e Kuvendit.
Sa i përket qëndrimit të opozitës dhe kërkesës së saj për ngritjen e komisioneve parlamentare hetimore, Berisha tha se opozita do të vijojë aksionin e saj edhe në terren.
“Një opozitë të cilës i mohohen të drejtat parlamentare të Kushtetutës, të drejta që kushtetuta jo si një privilegj personal, por ua njeh si përfaqësim i qytetarëve opozitarë, atëherë opozita dhe populli opozitar ka detyrën imediate absolute, të rivendosjes së të drejtave kushtetuese”, tha Berisha.
Ish-kryeministri deklaroi se në takimet që ai po zhvillon me demokratët në bazë, është i ftuar çdo deputet, përfshirë edhe Gazment Bardhin i cili i është bashkuar grupimit politik që ai drejton.
“Takimet janë të hapura për çdo deputet. Janë të mirëseardhur. Natyrisht të jem i hapur, të jemi realist, janë takime të kryetarit të PD-së direkt me elektoratin për të dhënë mesazhin opozita në veprim.
Gazment Bardhi dhe të gjithë deputetët janë në aksion, janë në veprim, janë frymëzues të këtij mesazhi për opozitën shqiptare”, nënvizoi Berisha.