Berisha kërkon të shkojë në Kuvend, Apeli i Posaçëm jep sot vendimin
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka përfunduar shqyrtimin e kërkesës së ish-kryeministrit Sali Berisha për të marrë pjesë në seancat parlamentare dhe në orën 15:30 do të dalë me një vendim.
Në seancën gjyqësore, të pranishëm ishin avokatët mbrojtës së Berishës, nga ku kërkesa për leje i është rrëzuar në Shkallën e Parë.
Avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj, në fjalën e tij para mediave ka deklaruar se SPAK koncepton që Berisha të trajtohet nga ligji i të dënuarve si person i thjeshtë.
Më tej, Gjokutaj ka akuzuar Kryeministrin Rama se ndikon te gjyqësori.
“Prokuroria ishte kundër siç ka qenë që në fillim. Pasi ajo në këtë gjykim ka dhënë dhe një vendim të saj. Ne iu drejtuam SPAK dhe ankimi i vendimit të SPAK shkoi në Shkallë të parë dhe sot është në Apel. Seanca u zhvillua në bazë të një debati. Prokuroria, SPAK konceptojnë që z.Berisha të trajtohet nga ligji i të dënuarve ose të paraburgosurve si njeri i thjeshtë pa i hyrë pjesës së mandatit të tij si deputet.
Kjo është strategjia e Ramës dhe atyre që stisën çështjen. Duke qenë se ata deri tani e kanë arritur përmes kësaj gjykate të kapur të realizojnë këtë skenar, ne do i kundërpërgjigjemi me mjete ligjore”, tha Gjokutaj.
Berisha, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili prej dhjetorit të 2023-shit ndodhet në “arrest shtëpie”, kërkon të marrë pjesë në seancat parlamentare. Ai akuzohet për “Korrupsion”, gjatë kohës që mbante postin e kryeministrit, pasi dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, gjatë procedurave të privatizimit të ish- kompleksit sportiv “Partizani”.