Berisha: Kur thashë emrin e Ramës, prokurorët e SPAK-ut sa nuk u futën nën tavolinë
Nëse Sali Berisha nuk ka asnjë firmë në procesin e njohjes, në procesin e kthimit, në procesin e kompensimit, në procesin e parablerjes, Edi Rama ka një seri firmash në këtë proces.
Ish-kryeministri Sali Berisha duke folur për mediat pas daljes nga SPAK-u ka sulmuar prokurorët e këtij institucioni, ndërsa theksoi se ata nuk jepnin dot asnjë përgjigje kur ka përmendur Edi Ramën.
“Sali Berisha nuk kishte asnjë autoritet ligjor të ndërhynte. Edhe kur ndërhyri për Zogun e Zi, bëri ligjin, po atë ligj Gjykata Kushtetuese e anuloi. Kur u përmenda Edi Ramën, vetëm sa nuk u futën nën tavolinë. Unë i pyeta, u thashe se çfarë qeniesh jeni ju, që Edi Rama ka firmosur ndryshimin e destinacionit, në një kohë kur nuk kishte… pavarësisht nga privatizimi, ishte pronë shtetërore”, u shpreh Berisha teksa iu referua akuzës që rëndon ndaj tij mbi privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Berisha tha se ai u kishte shtruar disa pyetje prokurorëve që nisnin sipas tij që me faktin se “si ka mundësi që Edi Rama, në UrbaPlanin e kalon përsëri gjithë klubin në zonë dhe ju nuk e përmendni një herë?”
“Si ka mundësi që Edi Rama firmos lejen e sheshit të ndërtimit dhe nuk ju nuk guxoni me e përmendë?
Si ka mundësi që Edi Rama firmos lejen e ndërtimit dhe ju mashtroni dhe thoni se ka firmosë Lulzim Basha? Basha ka firmosur, por ka firmosur Rama dhe Veliaj.
Si ka mundësi që ju injoroni emrin e Edi Ramës, në një kohë që gjykata e ka dënuar Edi Ramën për shkelje ligji? E ka gjobitur Bashkinë e Tiranës me 320 mijë euro për faktin se nuk zbardhte lejen, e mori vesh që Jamarbër Malltezi dhe lejen e miratuar e bllokoi”, tha më tej Berisha.
Ai e cilësoi SPAK-un si grup të struktuaruar kriminal që nuk guxon të përmendë “njëherë të vetme emrin e tij.”
Sipas Berishës, këta hetues janë si ata në Korenë e Veriut.