Berisha mbledh Këshillin Kombëtar: 14 maji, farsë elektorale. Do ta denoncojmë n…
Berisha mbledh Këshillin Kombëtar: 14 maji, farsë elektorale. Do ta denoncojmë në gjithë botën
Drejtuesi i grupimit të “Foltores” në Partinë Demokratike, Sali Berisha ka mbledhur me mbështetësit e tij Këshillin Kombëtar të kësaj force politike, ku ka theksuar se zgjedhjet e 14 majit ishin një farsë elektorale.
Berisha ka theksuar se të gjitha shkeljet janë përmbledhur në një raport prej 600 faqesh që do të dërgohet në vende të ndryshme të botës si formë denoncimi për atë që ka ndodhur në zgjedhjet vendore.
“Këtu kemi raportin, i cili shkon mbi 600 faqe, do publikohet në dy vëllime, i cili është nisur me pjesë e kapituj në qendrat e specializuara të zgjedhjeve të lira dhe do paraqitet dhe shpërndahet kudo në botë si dëshmi se zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e shëmtuar elektorale në historinë e pluralizmit shqiptar”, është shprehur Berisha.
Sipas Berishës, Rama asgjësoi Kodin Zgjedhor dhe parimet kushtetuese duke shkatërruar në këtë mënyrë edhe zgjedhjet.
“Ato ishin zgjedhjet e para, në të cilat për herë të parë armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve, shpalli publikisht si kinezëri Kodin Zgjedhor, asgjësoi çdo mbrojtje që ky kod u garanton pjesëmarrësve në garën elektorale.
Së bashku me Kodin Zgjedhor, Edi Rama shkelmoi të gjithë kriteret dhe parimet kushtetuese.
Edi Rama vendosi pabarazinë më ekstreme mes subjekteve zgjedhore në farsën elektorale. Ai i mori PD-së vulën dhe logon me një vendim antiligjor dhe ia dha patericës së tij, Brava-Alibeaj”, ka theksuar Berisha.