Berisha me fasoneritë: Do kompensojmë humbjet nga kursi i euros. Bonuse për fëmijët si shtesë në rrogë

Në një takim të zhvilluar në një biznes fason në Durrës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti disa masa të reja për mbështetje të ekonomisë dhe familjeve shqiptare në programin e tij. Ai theksoi se “këto zgjedhje janë për ekonominë” dhe shpalosi një plan për lehtësimin e barrës fiskale për bizneset.
Berisha kritikoi ndikimin negativ të kursit të euros, i cili, sipas tij, ka shkaktuar humbje të mëdha për sipërmarrësit shqiptarë për shkak të “lekut të drogës”. Ai premtoi se do të kompesojë çdo humbje nga lëkundjet e kursit të euros për biznese.
“Këto zgjedhje janë para së gjithash për ekonominë. Ne kemi përcaktuar ‘Made in Albania’, si krenaria kombëtare dhe ne do të bëjmë gjithçka që të mbështesim prodhimin shqiptar. Të lehtësojmë në maksimumin e mundshëm barrën fiskale. Unë e kuptoj vështirësinë e madhe që u krijon narko-euro. Narko-euro është një goditje shumë e rëndë për mijëra punonjës dhe sipërmarrje. Ata sjellin kontejnerë dhe vagonë me eurot e drogës dhe rrëzojnë përtokë euron në Shqipëri. I shndërrojnë në kullat e drogës dhe korrupsionit, kurse sipërmarrjet shkojnë drejt falimentimit dhe falimentojnë me shumicë. Qeveria do kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta. Në këtë kontekst, një bord i veçantë do ngrihet për të monitoruar lëkundjet e kursit dhe për të kompensuar për çdo sipërmarrës, gjersa ne me gërshërët e ligjit t’ia presim rrugën dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës, për të cilat ekonomia shqiptare nuk ka nevojë”, tha Berisha.
Në fjalimin e tij, Berisha gjithashtu premtoi se do të rikthehet çmimi më i ulët i energjisë elektrike për bizneset si dhe uljen e taksave dhe për rregullimin e çmimit të naftës.
“Gjithashtu unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush, energjia elektrike do paguhet me 6 lekë. Shqipëria do ketë çmimin më të lirë të energjisë në Europë për biznesin. Ne e kemi pasur, nuk është se po bëjmë diçka të re. Do ta rikthejmë përsëri fuqishëm në mënyrë që t’i japim hapësirë më të madhe investimeve, por edhe të lehtësojmë biznesin. Natyrisht sistemi më i ulët i taksave është zotimi ynë. Taksa 10 % është taksa më e lashtë. Nuk duhet të synosh t’i marrësh tjetrit më shumë se 10 % taksën. Ka një moral njerëzor dhe ne i përmbahemi atij morali. Ne jemi të bindur se ajo është taksa më e drejtë. Do ulim naftën. Ne kemi çmimin më absurd. Nafta vjen në Durrës me anije. Në Kosovë shitet 30-40 % më lirë. Këtu shitet 30-40 % më shtrenjtë. Po pse shitet më shtrenjtë? Sepse qeveria e taton naftën 1.1 euro. Nafta do tatohet njëlloj sa në Kosovë dhe Maqedoni dhe çmimi i saj do bjerë minimumi me 40 %”, tha ai.
Për familjet, Berisha propozoi bonuse për fëmijët si dhe do të ndjekë politikën e “fëmijës së tretë”.
“Do ketë bonuse për fëmijët si shtesë në rrogë. Shtesa në rrogë për fëmijën e parë nga qeveria do të jetë 70 euro, për të dytin 60 euro, për fëmijën e tretë, nga lindja gjer në moshën 23-vjeçare, qeveria do marrë përsipër çdo shpenzim. Ne do ndjekim politikën e fëmijës së tretë sepse ne u shkatërruam. Kjo politikë e fëmijës së tretë i ka shpëtuar kombet në histori”, përfundoi Berisha.