Berisha me ish-të përndjekurit politik: Dëmshpërblim të plotë brenda mandatit të parë qeverisës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka premtuar se gjatë mandatit të tij të parë qeverisës, do të realizohet dëmshpërblimi i plotë për ish-të përndjekurit politikë, një shtresë që ai e cilëson si thelbësore për PD dhe shoqërinë shqiptare.
Gjatë një takimi me përfaqësues të kësaj shtrese, Berisha theksoi se dëmshpërblimi i të përndjekurve do të jetë një prioritet i qeverisë së ardhshme.
Berisha kritikoi qeverinë aktuale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për injorimin e nevojave të ish-të përndjekurve, veçanërisht në lidhje me dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e kësaj kategorie.
“Shtresa e të përndjekurve politikë përbën fibrën politike dhe morale të PD. PD është e vendosur që në mandatin e ardhshëm të japë zgjidhje përfundimtare detyrimeve të mëdha që shoqëria shqiptare ka ndaj kësaj shtrese. Në qoftë se flasim për një program, nuk është asgjë tjetër veçse detyrimi madhor i dëmshpërblimit të punës skllavëruese që dhjetëra mijëra të përndjekur politikë kanë kryer në kampet dhe burgjet e diktaturës gjatë 46 viteve.
Dëmshpërblimi i tyre i plotë është zotimi ynë para kësaj shtrese. Faktikisht, marrëveshja e vitit 2006, mbi të cilën u përcaktua kuadri i dëmshpërblimit, është e tejkaluar, pasi ligjet aktuale kanë kufizimet e veta dhe Edi Rama, duke shpallur komunizmin dhe regjimin komunist si anë e drejtë e historisë, paçka se ishte ana më e zezë e historisë, ka injoruar në mënyrë pothuaj të plotë dëmshpërblimin e kësaj shtrese, skajimin e saj”, tha Berisha.
Kreu i PD premtoi gjithashtu se do të ndërmarrin hapa për integrimin e të përndjekurve politikë në institucionet e vendit dhe për aplikimin e standardeve të dekomunistizimit, duke u bazuar në rezolutat ndërkombëtare.
Në fund, Berisha njoftoi një marrëveshje të re me përfaqësuesit e të përndjekurve, duke e quajtur atë një angazhim të përbashkët që do të bëhet pjesë e programit qeverisës të PD. Ai po ashtu garantoi se, në mandatin e ardhshëm, PD do të përqendrohet edhe në zgjidhjen e çështjes së pronës dhe pronësisë në Shqipëri.
“Unë sapo vij nga një takim shumë i frytshëm, një diskutim i gjerë me këtë shtresë dhe ramë dakord për një marrëveshje të re midis PD dhe shtresës të përndjekurve politikë, përfaqësuesve të tyre, në mënyrë që ajo të jetë program qeverisës i yni. Nuk mund të ketë më asnjë lloj justifikimi pa bërë të gjitha ndryshimet ligjore, të cilat janë atavizma të regjimit komunist në disa aspekte mbi cilësime për ‘akte terroriste’ apo sabotime, të cilat nuk kanë pasur asnjë qëllim tjetër, përveç luftës ndaj diktaturës.
Nuk mund të mos vazhdohet me praktikat e diskriminimit pozitiv në të gjitha aspektet, gjersa të krijohet balanca midis shtresave të popullatës dhe kohezioni midis tyre. Integrimi i shtresës së të përndjekurve politikë në institucionet e vendit, forumet, është gjithashtu e domosdoshme. Sikundër aplikimi i standardeve të reja të dekomunistizimit, e bazuar në rezoluta ndërkombëtare. Pra, PD zotohet për t’i dhënë përgjigje përfundimtare problemeve të dëmshpërblimit të të përndjekurve gjatë mandatit të saj të parë”, u shpreh ai.