Berisha në “arrest shtëpie”, avokatët ankimojnë në Apel masën e sigurisë
Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj tij. Ankimi është dorëzuar sot (3 janar), brenda afatit pesë ditorë.
Berisha është nën hetim për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, ndërsa më 30 dhjetor, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi arrest shtëpie për ish-kryeministrin Sali Berisha, duke miratuar kërkesën e SPAK. Që pas këtij vendimi Berisha është vendosur nën mbikëqyrje policore.
Ditën e djeshme (2 janar), Berisha u shfaq për herë të parë publikisht pas marrjes së masës “arrest shtëpie”, duke përshëndetur demokratët nga dritarja e banesës së tij. Mbështetës të Berishës u mblodhën poshtë shtëpisë së tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë.