Berisha përshëndet rezolutën e PE: Rama s’mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës
Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur rezolutën e PE-së për Kosovën. Në fjalën e tij në deklaratën e përjavshme për mediat, Berisha u shpreh se rezoluta kërkon hetim të Serbisë për lidhjet me grupin terrorist të armatosur e të stërvitur në territorin e saj, të dërguar në Kosovë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Përgjegjësia e plotë e Serbisë në të gjitha zhvillimet konfliktuale në marrëdhëniet me Kosovën dhe përpjekjet konstante për destabilizimin e Kosovës. Në qëndrimet e saj, të cilat fund e krye, orientohen drejt mbajtjes së shtetit serb në Kosovë. Mbështes rezolutën dhe e konsiderojmë dokument të rëndësishëm, zbatimi i kërkesave të të cilit hap rrugën për një normalizim, mes Kosovës e Serbisë. Rezoluta, kërkon hetim të Serbisë me grupin terrorist të armatosur e stërvitur në territorin e saj e të dërguar në Kosovë. Akt ky që u parapri nga një seri aktesh dhune të nxitur nga falangat serbe, bojkote të udhëhequra nga Lista Serbe, një parti terroriste inkriminuar në të gjitha segmentet e saj, simotër me partinë e Vucciq dhe Edi Ramës”, tha Berisha.
Ky i fundit u shpreh se demokratët që ai përfaqëson do të angazhohen të punojnë ngushtësisht me PE-në për të dënuar qëndrimet destabilizuese të kryeministrit Edi Rama në mbështetje të politikave destabilizuese të presidentit serb Aleksandër Vuçit dhe ndërhyrjes flagrante në punët e brendshme të Kosovës.
“Asnjë normë demokratike ajo nuk lejon, udhëhiqet nga ekstremistë si Radojiçiq, mban lidhje me bandit dhe krimin si Partia e Vuçiq dhe Ramës.
Ajo që dua të shpreh, dhe për të cilën PD do angazhohet të punojë ngushtë me PE dhe asamble të tjera parlamentare do jetë dënimi I qëndrimeve destabilizuese të Ramës në mbështetje të politikave destabilizuese të Vuçiq dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës”, theksoi ai.
Parlamenti Evropian miratoi të enjten (19 tetor) rezolutën për dënimin e sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, tashmë një dëshmor për Kosovën.