Berisha: Rama e ktheu Shqipërinë në narkoshtet, do ta lërë vendin pa opozitë
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kreu i qeverisë, Edi Rama e ktheu Shqipërinë në narkoshtet dhe u ka mohuar shqiptarëve drejtësinë.
Sipas Berishës, Rama ka pasur dhe ka si synim të lërë Shqipërinë pa opozitë.
Berisha ftoi qytetarët që në 11 korrik të dalin në protestë për të përmbysin regjimin e Ramës.
“Hajdutë që tresin pasuritë e vjedhura, lajnë paratë e pista në pasuritë e tyre dhe si hanxhar marrin peng viktima, vërsulen si langonj të Edi Ramës kundër opozitës në projektin e tij Shqipëria pa opozitë.
Miqtë e mi, shqiptarët me 11 korrik do betohen për të përmbysur këtë regjim hajnash, që për 40 për qind të shqiptarëve ofron rrugët e botës, kurse për vete me vjedhjet që bën, me paratë e qytetarëve ndërton parajsën, me depozita qindra milionëshe në kontot e fshehta offshore, me hotele luksoze, me saraje përrallore, më pallate, me tendera të vjedhur 100 për qind në prokurime publike”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri shtoi se Rama dhe Veliaj ndajnë së bashku pasuritë publike me kompanitë e tyre dhe të familjarëve të tyre.
“Ndërton parajsën duke zhdukur 130 milionë euro pa nam dhe nishan të djegësit të Tiranës Edi Rama dhe Erion Veliaj. Ndërton parajsën duke vjedhur në dhjetëra e qindra prokurime 100 përqind paratë e tenderave me kompanitë e veta.
Ndërton parajsën e krimit duke ndarë me njëri-tjetrin, familjarët e vet pasuritë publike dhe fondet publike të shqiptarëve. Ndërton parajsën duke vjedhur 930 milionë euro në 9 muaj sipas KLSH. Duke ndërtuar rrugë me 30 milionë euro kilometrin. Duke ndërtuar tunele me çmime stratosferike dhe investuar në to 45 mijë euro për banor”, theksoi Berisha para mbështetësve demokratë.