Berisha: Rama i bëri atentat parlamentarizmit, opozita do dalë me konkluzionet e saj
Ish-kryeministri, Sali Berisha ka vijuar edhe këtë të premte akuzat ndaj Kryeministrit Edi Rama. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se Rama dha dje goditjen më të fundit të qeverisë kundër opozitës.
Sipas Berishës, dita e djeshme, fakton se Rama dhe pluralizmi janë të papajtueshëm.
“Ne të vazhdojmë tani me problemet tona të mëdha, të cilat janë atentati që Edi Rama i bëri parlamentarizmit, pikërisht në ditën e ekzekutimit të opozitës shqiptare në vitet ‘46.
Pikërisht atë ditë zgjodhi të votojë në mënyrë totalitare, të votojë në mënyrën më antidemokratike, për t’i emëruar opozitës përfaqësuesin që ai do.
Me këtë akt të shëmtuar, Edi Rama pasi ka grabitur dhe plaçkitur qindra, mijëra vota, tregon se edhe ata 620 mijë që votuan kundër tij, është i gatshëm të shkelmojë mbi votat e tyre dhe të mos përfaqësitë e këtyre votave në parlament. Është i gatshëm të përdorë pseudoopozitën për qëllimet e veta dhe është i vendosur të bëjë gjithçka për një sistem qeverisje të bazuar mbi bandat, drogën dhe krimin”, tha Berisha.
Berisha tha se Opozita, në ditët në vazhdim, do të shqyrtojë situatën shumë kritike të krijuar nga votimi i djeshëm në parlament dhe do të dalë me konkluzionet e saj.
“Ajo çka fakton dita e djeshme, fakton se Rama dhe pluralizmi janë të papajtueshëm, se Edi Rama nuk pajtohet me pluralizmin politik të vërtetë në Shqipëri’, tha Berisha.