Berisha: Rama mban të burgosur politik Malltezin sepse i denoncoi sarajet
Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për media, ka folur për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi i cili ndodhet në burg në lidhje me akuzat për privatizimin e ish-komplektit Partizani, duke u shprehur se po mbahet si i burgosur politik nga Kryeministri Edi Rama. Shkak për këtë, sipas ish-kryeministrit, është fakti që Malltezi denoncoi sarajet e kryeministrit Rama, aferën e incineratorëve, pallatin e bashkëshortes së Ramës dhe betonizimin e Tiranës.
“Edi Rama mbrëmë në një monolog me mediat e Bolinos, dëshmoi qartë se ai personalisht është prapa aktit hakmarrës primitiv, të vendosjes antikushtetuese të masave të sigurisë ndaj meje dhe burgosjes politike të Jamarabër Malltezit, vetëm e vetëm pse ai në emër të interesit politik, ka denoncuar ndër të parët, ndërtimin e sarajeve të tij në Surrel, me gjatësi themeli 57 metra të gjata, ndërkohë që pronari i tyre, Edi Rama, kishte të deklaruar në ILDKP 3800 euro dhe 400 mijë lekë, duke faktuar kështu se sarajet e Surrelit u ngritën mbi krimin, korrupsionin, larjen e parave.
Edi Rama me daljen e tij në mediat e Bolinos, provoi se ai personalisht qëndron mbrapa burgosjes politike të Jamarbër Malltezit sepse ky i fundit me guxim, ka denoncuar ndër më të parët në emër të mbrojtjes së interesit publik, pallatin pesëkatësh të familjes së tij, të ndërtuar në mes të sheshit të pallateve, pa asnjë faturë tatimore, bankare, doganore apo ndërtimore, por vetëm në mënyrë korruptive, mafioze, apo me para gjaku, siç deklaronte Linda Rama.
Edi Rama me mashtrimet e tij provoi mbrëmë përfundimisht se ai ka urdhëruar burgosjen politike me çdo kusht të Jamarbër Malltezit, sepse ky i fundit, në mbrojtje të interesit publik, ka denoncuar me dhjetëra në mos qindra herë, betonizimin e Tiranës nga Edi Rama, të bazuar në korruptimin e tij nga ndërtuesit e kryeqytetit”, tha Berisha.
Në lidhje me privatizimin e ish-klubit Partizani, ish-kryeministri publikoi nenin 31 para dhe pas ndryshimit dhe 31/2 para ndryshimit për privatizimin e objekteve sportive.
“Neni 31 para dhe pas ndryshimit. Neni 31/2 para ndryshimit.
“Objektet sportive jepen me koncesion apo privatizohen, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr.7973, datë 26.7.1995 “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”.
Neni 31/2 pas ndryshimit:
“Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt, jepen me koncesion, në përputhje me ligjin nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni.””, tha Berisha.