Berisha : Rama mendon se do më mbyllë gojën me arrest- Mosbindja civile do jetë vullkani që do të përmbysë diktaturën
Ish-kryeministri Sali Berisha i ndodhur sot pasdite në Shkodër ku ka zhvilluar një takim me mbështetësit e tij, nga ku ka deklaruar se kryeministri Rama mendon se do “t’i mbyllë gojën me arrest”, duke iu referuar kërkesës së fundit të drejtësisë për vendosjen e masës së arrestit në shtëpi ndaj tij.
Berisha u shpreh se “mosbindja civile do të jete vullkani që do të përmbysë narko diktaturën njëherë e përgjithmonë”.
“Ai mendon se duke vendosur ne arrest Sali Berishën do mund t’ja mbyllë gojën, përkundrazi… ja zotohem këtu se mosbindja civile do të jete vullkani që do të përmbysë këtë narko diktaturë njëherë e përgjithmonë. Ky vullkan nuk mund të jetë askund tjetër se në Shkodër”, u shpreh ai.
Sipas tij, sot jemi në një diktaturë, një shtet në të cilin çdo pushtet është përqendruar në dorën e një njeriu.
Pavarësisht nga skenat, shprehet Berisha, por grumbulli i karrigeve, ato tymueset dhe flakadanët, por ato ndriçuan mendjen e botës se çfarë ndodh në Shqipëri.
“Ato treguan se këto po ndodhin se një kryeministër nuk lejon kontrollin parlamentar të tij dhe të qeverisë së tij. Kjo tregon se ai është i inkriminuar dhe ka frikë dhe tmerr nga kontrollet. Kjo tregon se ai ka të gjitha pushtetet në një dorë. Ndaj dhe mosbindja jonë civile në parlament është një aksion pa kthim, një betejë pa kthim, e cila do të udhëheqë në një betejë pa kthim mbarë shqiptarët. Ku qëndron forca? Ku qëndron besimi im?”, tha ndër të tjera Berisha.