Berisha: SPAK përdoret për të goditur opozitën. Mbyllja e aferës McGonigal nga Dumani, krim ndërkombëtar

Kreu demokrat Sali Berisha, gjatë një deklarate për media para pas daljes nga SPAK në kuadër të përmbushjes së detyrimit të paraqitjes, theksoi se hetimet e nisura ndaj tij dhe familjes së tij janë të motivuara politikisht dhe pa asnjë bazë faktike, ndërsa ka kritikuar qëndrimin e Prokurorisë së Posaçme për të mbuluar një seri skandalesh, sipas tij, të lidhura me qeverinë.
“Hetimi shterrues 4-vjeçar, siç e ka quajtur Skapi, dhe vetingu 32-vjeçar familjar i Sali Berishës ka provuar se ai dhe familjarët e tij nuk kanë përfituar asnjë favor, dhe se kursimet e tyre janë në përputhje me ligjet e vendit,” tha Berisha, duke shtuar se çështja ndaj tij është pjesë e një strategjie më të gjerë e Edi Ramës për të goditur opozitën dhe për të siguruar një mandat të katërt për vetë.
Berisha e akuzoi SPAK-un dhe qeverinë e Edi Ramës se, ndërkohë që sulmojnë opozitën, ata fshihen pas një numri të madh skandalesh dhe aferash të lidhura me korrupsionin qeveritar. Ai ngriti disa pyetje të forta lidhur me alokimin e fondeve publike dhe mosndëshkimin e personave të lidhur me korrupsionin qeveritar, përfshirë Taulant Ballën dhe Belinda Ballukun.
“Ftoj çdo qytetar të pyesë Skapin pse Taulant Balla është i lirë dhe bën fushatë, kur ata flenë mbi dosjet e krimeve të tij,” tha Berisha. Ai i kërkoi SPAK-ut gjithashtu të japë përgjigje lidhur me financimin e projekteve të dyshimta, siç i cilëson ai, djegësin e Tiranës dhe shpenzimet për anijet fantazmë.
“Ku kanë shkuar 130 milionë euro të djegësit të Tiranës, ku kanë shkuar 80 milionë euro për anijet fantazmë, dhe 120 milionë euro të checkup që nuk bëhen?” pyeti Berisha, duke shtuar se këto pasuri të vjedhura janë pjesë e një plani të gjerë korrupsioni të Edi Ramës dhe kompanisë së tij.
Ai gjithashtu theksoi se skandalet e përmendura, të cilat kapin shumën prej 630 milionë eurosh, janë vetëm maja e ajsbergut të një plani më të madh për përfitime personale dhe partiake.
Berisha kërkoi që qytetarët shqiptarë të japin përgjigjen e duhur më 11 maj, duke votuar për ndryshimin dhe dënimin e atyre që, sipas tij, kanë abuzuar me pasuritë dhe burimet e vendit.
Ndërkaq, kreut demokrat ka lexuar para mediave edhe shënimin që i ka lënë kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar për mbylljen e asaj që ai e konsideron si afera McGonigali, për të cilën thekson se përbën krim ndërkombëtar. “Ramën nuk e shpëton asgjë nga kjo aferë“, përfundon Berisha.