Berisha: Të shtyhet me 10 ditë afati për votimin e diasporës

Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se projektligjet e propozuara nga mazhoranca për shtyrjen e afatit të ID dhe pasaportave për shqiptarët në diasporë janë gjysmake dhe hipokrite.
Sipas Berishës afati 5 ditor për votimin e diasporës është qesharake, ndërsa kërkoi zgjatjen me 10 ditë të tjera të këtij afati.
Kreu demokrat theksoi se ky akt diskriminon shqiptarët pasi zgjatja e afatit për shqiptarët në diasporë duhet të jetë e vlefshme edhe për shqiptarët brenda vendit.
“Aktet që paraqiten këtu janë gjysmake dhe hipokrite. Nëse bëjmë fjalë se 800 mijë shqiptarë i kanë të skaduara dokumentet dhe miratojmë aktin për t’u mundësuar votimin duke u lënë 5 ditë afat, ky është akt qesharak që do damkosë këtë mazhorancë me një damkë tjetër të zezë.
Nëse miratojmë këtë akt sot, të shtyjmë dhe 10 ditë dhe ta bëjmë 15 ditë mundësinë e votimit të tyre.
Ky akt diskriminon shqiptarët. Nëse zgjasni afatin për shqiptarët që janë jashtë, ai duhet të jetë i vlefshëm dhe për ata që janë brenda. S’mund të ketë 2 standarde. Po ju vjen fundi nga njeriu që s’guxon të vijë më në parlament. Që është bërë u shkallmuar me një gjuhë të denjë qelefi”, deklaroi Berisha.
Ky i fundit ka reaguar edhe pas dëshmive në Kongresin e SHBA-ve,ku deklaroi se mazhoranca nuk mund të bëjë të paditurën ndërsa tërmeti politik ka goditur Amerikën.
Berisha theksoi se ligji për desorosifikimin e Shqipërisë është emergjencë kombëtare.
“Siç e shihni, një tërmet i madh politik ka ndodhur në btoë dhe ju nuk mund të bëni të paditurin. Nuk mund të fshiheni sepse ky tërmet ka pasur pasqyrime apo reflektimin më të madh pas SHBA në Shqipëri.
Ky tërmet është përmbysja e sorosizmit dhe ekstremit të majtë në SHBA, por që pati reflektime të tmerrshme edhe në këtë vend. Ju kërkoni ta kaloni në një kohë kur atje, në atë vend, çdo ditë presidenti firmos zinxhir dekretesh për desorosifikimin e SHBA, ju vazhdoni të bëni sikur do mund t’i mbani ato në këmbë.
Të mbani në këmbë akte, qëndrime, të cilat janë në armiqësi të plotë jo vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e lira, me të gjitha vendet që aspirojnë të mbeten të tilla. Ndaj me urgjencë ligji për desorosifikimin e Shqipërisë është një emergjencë kombëtare”, përfundoi Berisha.