Berisha thirrje diasporës për protesta: Të lejohen të votojnë me ID e vendit ku jetojnë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është fokusuar sërish tek vota e diasporës duke apeluar për protesta. Berisha ka kërkuar që emigrantët të regjistrohen edhe me dokumentin e identifikimit të vendit ku banojnë.
“Vota e diasporës është historike. Janë të tmerruar. Tani kërkojnë që të votojnë vetëm ata të cilëve u ka ngelur në xhep dokumenti shqiptar. A ka kërkesë më absurde se kjo? Dokumentet biometrike të Gjermanisë, Francës, SHBA, kërkojnë të mos i njohin në një kohë kur këto i njeh e gjithë Europa. I njeh SHBA. Këta thonë jo, nuk do mund të votojnë me këto. I bëj thirrje diasporës të reagojë me protesta të fuqishme para ambasadave të narkoshtetit se ky është një diskriminim i paimagjinueshëm. Duhet të kesh urrejtjen ndaj votës që ka Edi Rama të urdhërojë një akt të tillë. Po biometrinë nuk e bëmë ne të parët, e morëm nga ata si proces sigurie. Dhe tani themi atyre nuk u njihet”, tha Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike, në takimin me të deleguarit e qarkut të Tiranës, ka hedhur akuza ndaj ministres së Infrastukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe ka premtuar se nëse PD fiton zgjedhjet do të ndërtohen shumë më tepër rrugë se ç’ janë ndërtuar në gjatë qeverisjes së PS.
“Programi i PD është një program, i cili në 100 ditët e para u jep përgjigjen më të shkëlqyer problemeve më të mprehta të këtij vendi. Ne kemi gjetur çelësin, kemi përcaktuar si, tek, me realizëm të madh dhe thelbin e kësaj që do mbrojmë ne është përmbysja e modelit kleptokratik të Edi Ramës të shpërndarjes së buxhetit dhe të ardhurave kombëtare. Por garantoj shqiptarët se do ndërtohet çdo kilometër rrugë dhe do ndërtohet më shumë dhe këtu do jemi. Shumë më tepër se ç’është ndërtuar në 12 vitet e tyre që janë 12 vite vjedhje të tmerrshme. 8.2 miliardë euro buxhet, nga të cilat Lubi Loti merr 3 herë më shumë se sa ç’marrin të gjithë fermerët shqiptarë, të gjithë pensionistët shqiptarë, i gjithë arsimi shqiptar, e gjithë shëndetësia shqiptare së bashku. Merr sepse vjedh në mënyrën më monstruoze me Edi Ramën qindra milionë”, theksoi Berisha.
Berisha është ndalur sërish te rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se Shqipëria është një nga vendet që përfiton më shumë, sipas tij, nga dekretet e presidentit amerikan.
“Me ardhjen e Trump merr fund krijimi i drejtësive monstra dhe agresioni ndaj opozitave konservatore”, tha Berisha.