Berisha u mor i pandehur nga SPAK, Meta: E diktuar nga Rama
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pasi SPAK-u mori zyrtarisht si të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha për aferën korruptive të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Në një konferencë për mediat, Meta e ka konsideruar veprimin e SPAK-ut si të diktuar nga kryeministri Edo Rama në funksion të axhendës elektorale dhe për të asgjësuar opozitën.
“Vendimi i djeshëm i organizatës kriminale mercenare, SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit, për të marrë të pandehur pa prova, pa dëshmi, pa fakte dhe pa dokumente, liderin historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha nuk është gjë tjetër veçse një akuzë e mirëfilltë politike e diktuar dhe e paracaktuar nga Edi Rama, në funksion të axhendës së tij elektorale, me qëllim asgjësimin me çdo mjet të opozitës, të demokracisë dhe të pluralizmit politik”, u shpreh Meta.
Sipas drejtuesit të Partisë së Lirisë, SPAK po i shërben mazhorancës socialiste për të goditur opozitën dhe mbrojtur korrupsionin qeveritar.
“Shërbimi i verbër që SPAK-u po i bën Narkoshtetit duke goditur drejtuesit e opozitës dhe mbrojtur hapur korrupsionin skizofrenik dhe lidhjet e tmerrshme kriminale të Edi Ramës është një poshtërim flagrant i sistemit të drejtësisë dhe integritetit të tij, si edhe një tradhti kombëtare ndaj Shqipërisë që ka nevojë ulëritëse për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta.
Është ky SPAK që as nuk guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës, jo vetëm për çështjen e Sali Berishës por edhe për shumë çështje të tjera ku firmat e tij janë hedhur mbi afera kriminale”, theksoi më tej Meta.