Berisha: Veliaj tentoi të fajësojë Ramën, por ai është strumbullari numër 1 i aferës së djegësit të Tiranës
Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme, ka akuzuar sërish Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn dhe Kryeministrin Edi Rama në lidhje me incineratorin e Tiranës.
Sipas Berishës, për atë të cilën e konsideroi si aferën e Tiranës, Veliaj ka tentuar të fajësojë kryeministrin Rama. Por Berisha thekson se strumbullari i djegësit të Tiranës është Veliaj.
“Pavarësisht se grupi i strukturuar kriminal në SKAP-in e partisë, e ka amnistuar Erion Veliajn, ky i fundit pranoi mbrëmë plotësisht fajësinë e tij, por në dallim nga ajo çka ju mund të prisnit, ky mbrëmë mori edhe guximin të bëjë përpjekjen e hapur për të fajësuar për djegësin e Tiranës, as më shumë dhe as më pak se Edi Ramën.
Erion Veliaj, i cili guxoi të fliste për ndërgjegjen në një kohë kur fytyra i ishte bërë sterrë. Dhe thoshte ndërgjegja e pastër, se si mund të shkojë ndërgjegjja e pastër me fytyrën sterrë, atë e din ai. Po t’i bësh ‘face reading’, ai del tre herë fajtor.
Pra, ndërgjegjen e kam të pastër dhe u tha qytetarëve se ata dy drejtorë që janë të burgosur, janë dy inxhinierë që kanë pasur si detyrë të thonë sa plehra prodhon bashkia”, tha Berisha.
Ky i fundit u shpreh se opozita nuk do të ndalet në betejën kundër qeverisë.