BERZH: Performanca jashtëzakonisht e fortë e turizmit mbështet rritjen ekonomike të Shqipërisë
Performanca jashtëzakonisht e fortë e sektorit të turizmit, ku numri i vizitorëve u rrit me 30 % në vit në shtatë muajt e parë të vitit 2023, pritet të mbështesë rritjen si në afatshkurtër, ashtu edhe afatmesëm në Shqipëri.
Kështu e vlerëson në analizën e treguesve ekonomikë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që projekton një rritje me 2.5 % të ekonomisë së Shqipërisë për këtë vit.
Ekonomia e vendit tonë u rrit me 2.7 % në tremujorin e parë 2023, e nxitur nga kërkesa në kushtet e një inflacioni në rënie.
Vlera e lekut ishte 12 % më e lartë në korrik 2023 se një vit më parë, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar, mbështetur nga numri më i madh i turistëve, si dhe prurje të vazhdueshme të remitancave dhe investimeve direkte.
BERZH analizoi se vlerësimi i monedhës kompensoi një pjesë të goditjes inflacioniste, çka mundësoi një politikë të përshtatshme monetare me një normë prej 3 % deri në fund të gushtit 2023.
BERZH parashikon se rritja ekonomike pritet të vazhdojë me një ritëm mesatar prej 2.5 % në 2023, duke pasur parasysh perspektivat e partnerit kryesor tregtar të Shqipërisë, Italisë, dhe inflacionin ende të lartë të ushqimeve, i cili ndikon në të ardhurat e disponueshme.
Në përputhje me rimëkëmbjen e parashikuar globale, rritja ekonomike është parashikimi për t’u kthyer më pranë potencialit të saj, duke arritur 3.3 % në 2024, vëren BERZH në raportin e saj.