Besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkën, uron politika
Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën, ndërsa nuk kanë munguar urimet nga politika shqiptare. Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, përmes një postimi në Facebook, uron Pashkë të bekuar e të gëzuar për të gjithë besimtarët. Në këtë ditë feste, Presidenti fton qytetarët që të mbështesin vëllazërinë, miqësinë e shoqërinë.
“Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës, për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë! Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo të gjithë besimtarët ortodoksë. Pashkët na ftojnë të kemi besim e të jemi shpresëplotë për jetën. Të mbështesim vëllazërinë, miqësinë e shoqërinë në të mirë e në të keq. Pashkët simbolizojnë dritën e jetës, ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen.
Sot, kur besimtarët ortodoksë marrin qirinjtë nga flaka e kandilit në kishë dhe i çojnë në shtëpitë e tyre, marrin me vete edhe shpresën, besimin dhe optimizmin për një jetë të paqtë, të gëzuar e plot shëndet. Ringjallja e këtyre tre elementeve është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë. Pashkë të bekuara e të gëzuara për besimtarët ortodoksë shqiptarë, kudo ku ata festojnë“, uron presidenti.
Me një postim në Facebook ka uruar edhe kryeministri Edi Rama, teksa shkruan: “Mirëmëngjes. Gëzuar Pashkët Ortodokse”.
Të krishterët në Festën e Pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.