Betohen oficerët e rinj, Balla: Objektivi kryesor, ta bëjmë Policinë institucionin më të besuar

Janë betuar 96 oficerët e rinj të Policisë së Shtetit. I pranishëm në ceremoninë që u zhvillua në Akademinë e Sigurisë, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se synimi është që Policia e Shtetit të bëhet institucioni më i besueshëm në vend.

Sondazhet publike tregojnë një rritje të mbështetjes te policia. Kjo vjen edhe për shkak të suksesit të disa prej operacioneve kombëtare të ndërmarra nga Policia e Shtetit, si “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”. Policia e Shtetit ka treguar dhe vazhdon të tregojë, me rezultate, me operacione konkrete, se është një partner i besueshëm, së pari për qytetarët e po ashtu për agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja”, tha Balla.

Duke folur rreth sfidave që mund të ndeshin punonjësit e rinj në radhët e Policisë së Shtetit, Ministri Balla theksoi ruajtjen e integritetit njerëzor e profesional dhe mposhtjen e tundimit për t’iu nënshtruar paligjshmërisë.

Ata punonjës të Policisë së Shtetit që bëhen mburojë apo i ofrojnë mbështetje krimit dhe paligjshmërisë së çdo lloji, i kanë ditët dhe orët të numëruara. Ata nuk përfaqësojnë Policinë e Shtetit dhe do japin llogari pa shumë vonesë përpara drejtësisë. Është në interesin publik dhe të Policisë së Shtetit që rruga e këtyre elementëve të ndahet sa më parë, njëherë e përgjithmonë nga rruga e Policisë së Shtetit.

Ne kemi nisur një proces të thellë të vetëpastrimit të policisë për të pasur qoftë në drejtim, por edhe në rolin bazë, jo vetëm punonjësit më profesionistë, por ata me më shumë integritet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit komunikoi rezultatin e një operacioni tjetër të suksesshëm, ndoshta më i madhi në natyrën e vet zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, ku falë punës hetimore të Policisë së Shtetit, jo vetëm që është goditur një grup i strukturuar kriminal me veprimtari brenda por edhe jashtë Shqipërisë, por si çdo rast, janë goditur edhe ata që nga brenda Policisë së Shtetit i shërbejnë krimit,” u shpreh Balla.

Oficerëve të rinj të diplomuar nga programi “Bachelor”, u jepet menjëherë grada nënkomisar dhe pasi të marrin emërimet e reja, pritet të kontribuojnë cilësisht në parandalimin dhe luftën kundër krimit.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.