Biden i dërgon armë Izraelit, por Pelosi dhe 36 demokratë i bëjnë thirrje presidentit të ndalë mbështetjen
Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, ka nënshkruar një letër të dhjetëra kongresmenëve demokratë dërguar presidentit Joe Biden dhe sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, që bëjnë thirrje të ndërpritet transferimi i armëve amerikane në Izrael.
“Pas sulmit të fundit kundër punëtorëve të ndihmave dhe krizës humanitare gjithnjë duke u përkeqësuar, ne besojmë se është e pajustifikueshme që të miratohen këto transderime armësh” – shkruhet në letrën e nënshkruar nga Pelosi dhe 36 demokratë të tjerë.
Përkrahja e ndërprerjes së dërgimit të armëve në Izrael nga Pelosi, anëtare veterane e Partisë Demokratike të Bidenit, tregon se kjo pikëpamje po bëhet gjithnjë më e gjerë brenda partisë, raporton “Reuters”.
Letra vjen ndërsa Kongresi amerikan pritet të votojë një pako ushtarke prej 18 miliardë dollarësh për Izraelin.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI), SHBA-të përbënin 69 për qind të importeve të armëve të Izraelit midis 2019 dhe 2023. Uashingtoni i ofron Izraelit 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vjetore sipas një marrëveshjeje 10-vjeçare që synon të lejojë aleatin e saj të ruajë “përparësi ushtarake cilësore” ndaj vendeve fqinje, përmesdërgesave të avionëve F-35 e sistemeve të avancuara raketore. Pas SHBA-së renditet Gjermania me gati 30% të eksporteve apo me mbi 600 milionë euro në vit, ndërsa në vendin e tretë është Italia me 4.7%.
Sulmi ushtarak izraelit në Gaza, që nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael, është ballafaquar me kritika të shtuara ndërkombëtare, pasi ka shkaktuar mbi 33 mijë viktima, më shumë se 75 mijë të plagosur dhe 2,3 milionë banorë të zhvendosur e në krizë urie, çka ka nxitur akuza për gjenocid, të cilat Izraeli i mohon.