Biden kërkon përgjegjësi për vrasjen e shtetases amerikane në Bregun Perëndimor
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të mërkurën se Izraeli duhet të bëjë më shumë për të garantuar se incidentet si ai i vrasjes së një shtetase amerikane gjatë një proteste kundër zgjerimit të vendbanimeve, nuk do të ndodhin kurrë më. Ai tha se vrasja e Aysenur Ezgi Eygi, 26-vjeçare, është “plotësisht e papranueshme”.
Në një njoftim për mediat Biden tha se derisa Izraeli e ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e saj, SHBA pret qasje të vazhdueshme në hetimet që janë duke u kryer për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së saj.
“Duhet të ketë përgjegjësi të plotë. Dhe Izraeli duhet të bëjë më shumë për t’u siguruar se incidentet e tilla nuk do të ndodhin kurrë më”, tha Biden.
Reagimi i njerëzve të mbledhur në një spital ku një shtetase amerikane vdiq nga plagët e armëve, pasi dyshohet se u qëllua nga trupat izraelite gjatë një proteste në Bregun Perëndimor, 6 shtator 2024.
Izraeli ka thënë se vrasja e saj ishte “aksidentale”. Bideni gjithashtu e dënoi dhunën në Bregun e uzurpuar Perëndimor nga “kolonët ekstremistë izraelitë” dhe “terroristët palestinezë”.
“Do të vazhdoj t’i përkrah politikat që i mbajnë përgjegjës të gjithë ekstremistët – izraelitë dhe palestinezë pa dallim – për shkak të shkaktimit të dhunës dhe pengesave ndaj paqes”, tha Biden.