Biden kritikon Netanjahun – Izraeli e ka “tepruar” në luftën në Gaza
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Izraeli e ka “ekzagjeruar” me bombarimet në Gaza. “Unë jam i mendimit, siç e dini, se Izraeli e ka tepruar në përgjigjen e tij në Rripin e Gazës”, tha Biden për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti tha se SHBA nuk do i mbështeste planet për ndonjë operacion të madh izraelit në Rafah, duke thënë se sulmi pa planifikimin e duhur do të ishte një “katastrofë” për qindra mijëra banorë të evakuar në jug të enklavës.
Këto janë ndër kritikat më të ashpra publike që presidenti Biden i ka bërë deri më tani Qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe vijnë pas rritjes së trysnisë së brendshme për ta bindur Izraelin të ndalë sulmet. Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorë është detyruar të zhvendoset në kufi me Egjiptin si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit.
Duke mos qenë në gjendje të ikin nga territori i vogël palestinez, shumë prej tyre po jetojnë në tenda të improvizuara, apo në strehimore të mbipopulluara të Kombeve të Bashkuara, dhe gjysmë milioni njerëz sipas OKB vuajnë nga uria.
Në 24 orët e fundit nga bombardimet izraelite humbën jetën 107 qytetarë palestinezë dhe u plagosën 142 të tjerë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, me shifrat e fundit numri i viktimave që nga fillimi i luftës katër mujore ka shkuar në 27.947, ndërsa ai i të plagosurve në 67,459.