Biden pranon se debati presidencial kishte mangësi, por deklaron se do të mbrojë demokracinë
Presidenti Joe Biden u përpoq të premten për të qetësuar shqetësimet në radhët e demokratëve për paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin Donald Trump. Ndërkohë zyrtarët e zgjedhur të partisë u bashkuan përreth tij, në përpjekje për të ndalur idetë për zëvendësimin e tij si kandidat për president i Partisë Demokrate.
Hezitimi i tij gjatë debatit dhe komentet e zbehta në veçanti në fillim të debatit, ushqyen frikën në radhët e vetë anëtarëve të partisë së tij, se në moshën 81-vjeçare, ai nuk është në nivelin e duhur për detyrën e drejtimit të vendit për katër vite të tjera. Kjo krijoi një moment krize për fushatën e tij elektorale dhe për presidencën e tij, ndërsa anëtarë të partisë së tij filluan të kontaktojnë zëvendësuesit e mundshëm, si dhe donatorët dhe mbështetësit që nuk mund ta përmbanin më shqetësimin për paraqitjen e tij të dobët përballë ish-presidentit Trump.
Presidenti Biden duket se i pranoi kritikat gjatë një tubimi në Raleigh, të Karolinës së Veriut, duke thënë se “nuk debatoj më aq mirë si dikur”. Por, ai shtoi se “e di si ta bëj këtë punë. Di si t’i realizoj gjërat”. Në një fjalim prej 18 minutash, presidenti Biden dukej shumë më i gjallëruar krahasuar me paraqitjen e një nate më parë dhe kritikoi ashpër ish-presidentin Trump për “gënjeshtrat” e tij dhe për fushatën e tij që synon “hakmarrje dhe shpagim”, siç u shpreh presidenti Biden.
“Zgjedhja në këto zgjedhje është e thjeshtë”, tha presidenti Biden. “Donald Trump-i do ta shkatërrojë demokracinë tonë. Unë do ta mbroj”.
Ai shtoi, duke aluduar për kandidimin e tij: “Kur të rrëzojnë, duhet të ngrihesh sërish”. Që përpara debatit, mosha e presidentit Biden kishte qenë një pikë e dobët për votuesit dhe paraqitja në përballjen e së enjtes në mbrëmje duket se përforcoi shqetësimet e thella të publikut. E gjithë kjo ndodhi përpara audiencës më të madhe që ai ndoshta do të mundet të ketë deri në ditën e zgjedhjeve.
Në prapaskenë, zyrtarët e fushatës së tij elektorale kaluan orë të tëra duke punuar për të qetësuar shqetësimet dhe për të ruajtur mbështetjen e donatorëve dhe të zyrtarëve. Ligjvënësit demokratë pranuan të premten paraqitjen e dobët të presidentit Biden, por u përpoqën të ndalnin idetë për zëvendësimin e tij si kandidati kryesor për president. Ata u përpoqën ta zhvendosin vëmendjen tek sulmet dhe deklaratat e ish-presidentit Trump, që ata shpresojnë se do t’iu rikujtojnë votuesve turbullirat e përditshme gjatë presidencës së tij citon VOA.