Biden takohet me Yulia Navalnayan, e veja e udhëheqësit të ndjerë të opozitës ruse
Shtetet e Bashkuara shpallën të premten sanksione të reja, kundër Moskës, pas vdekjes së udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny, ndërsa një ditë më parë presidenti Joe Biden u takua të enjten me të venë e tij në San Françisko.
Siç njofton Zëri i Amerikës, Presidenti Biden vlerësoi veprën e udhëheqësit opozitar në luftën e tij të guximshme për një Rusi demokratike.
Gjatë takimit të enjten në Kaliforni me të venë e Alexey Navalny-t, Yulia Navalnaya-n, dhe vajzën e tyre, Dasha, Presidenti Joe Biden vlerësoi veprën e udhëheqësit opozitar në luftën e tij të guximshme kundër korrupsionit dhe për një Rusi të lirë dhe demokratike.
Në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të G20 në Brazil, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli për sanksionet amerikane kundër Rusisë lidhur me agresionin e saj kundër Ukrainës dhe vdekjen e opozitarit Navalny.
“…Navalny ishte një udhëheqës heroik në jetën dhe punën e tij. Por fakti që Vladimir Putini e pa të nevojshme ta përndiqte, helmonte dhe burgoste atë, flet shumë. Jo për fuqinë e Rusisë nën Putinin, por për dobësinë e saj”, u shpreh kryediplomati amerikan.
Ndërsa në mbarë botën vazhdojnë nderimet për opozitarin e ndjerë Navalny, nëna e tij njoftoi se ishte lejuar të shohë trupin e djalin të saj. Ajo tha se zyrtarët rusë po këmbëngulin për një funeral të fshehtë.
Një tjetër udhëheqës i burgosur i opozitës ruse, i cili u kthye vullnetarisht në Rusi, pavarësisht rrezikut, Vladimir Kara-Murza, foli nga burgu të enjten përmes një lidhje me video. Ai u bëri thirrje njerëzve në Rusi dhe në mbarë botën që të mos dorëzohen përpara errësirës dhe dëshpërimit pas vdekjes së zotit Navalny, por të punojnë më shumë për ta bërë Rusinë një vend normal evropian, të lirë dhe demokratik.