Bie shkëmbi në rrugën e Dukagjinit / Bllokohen disa automjete, banorët kërkojnë ndihmë për zhbllokimin e rrugës
Një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali dhe ka rënë në rrugën e Dukagjinit duke rrezikuar jetën e disa udhëtarëve që po lëviznin me një furgon të linjës. Ngjarja sipas banorëve ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në vendin e quajtur “Gështenja e Thaçit”, në rrugën e Kirit. Këta të fundit kanë dërguar në redasinë e RTSH Shkodra disa video nga vendi i ngjarjes, ku i kërkojnë ndihmë me anë të mediave autoriteteve, që të marrin masa për zhbllokimin e rrugës dhe kalimin e sigurtë . Sipas tyre ekziston frika që të shkëputen edhe masive të tjera shkëmborë nga mali, për shkak të tronditjeve që shkaktohen nga mjetet që po punojnë për ndërtimin e segmentit rrugor Prekal-Kir. Ndërkohë ka reaguar Bashkia Shkodër, përmes një postimi në faqen e saj zyrtare Facebook, ku thotë se”Për shkak të rënies së gurëve, rruga që lidh dy Njësitë Administrative Pult dhe Shosh është bllokuar. Bashkia Shkodër ka marrë masa për nisjen e grupit të punës për lirimin e plotë të këtij aksi rrugor dhe rikthimin e aksesit të banorëve në këtë zonë të Bashkisë Shkodër”. Më herët krybeashkiaku Benet Beci i bëri apel qytetarëve të tregojnë kujdes të veçantë në zbatimin e rregullave të qarkullimit në një kantier ndërtimi e të ndjekin me vëmendje orientimet e punonjësve në terren.