“Bie” Vllaznia e futbollit femra / Fituesja e 10-të trofeve, dënohet për dy vite nga Kupa e Shqipërisë
Ka plot dhjetë vite që nuk e ndal askush. Në dhjetë konkurime të Kupave të Shqipërisë dhe Kampionateve Kombëtare, Vllaznia e futbollit të femrave ka arritur t’i sfidojë të gjithë rivalët e saj duke fituar 20 trofe kombëtarë, 10 të Kupës së Shqipërisë dhe 10 të Kampionatit Kombëtar. Por, këtë edicion të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia e futbollit të femrave është ndalur. Ajo nuk do të ketë mundësi të konkurojë për trofeun e 11-të radhazi. Në fakt, nuk e kanë ndalur kundërshtarët, por këtë ndalesë ajo e ka marrë nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili në mbledhjen e pasdites së djeshme ka marë një vendim drastik ndaj këtij ekipi.
“KF Vllaznia Femra, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kupës së Shqipërisë, kundër KF Gramshi Femra, në bazë të neneve 16/1 të KDE dhe 32/2 të rregullores së aktivitetit, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe përjashtohet nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës. Sipas nenit 76/1/d të KDE, gjoba të aplikohet në masën 5%.”.
Ky është vendimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës, i cili nuk është pritur aspak mirë në kampin kuqeblu, por edhe në opinionin sportiv, ku tifozëria shkodrane shpreh habi për këtë qëndrim ndaj një skuadre, e cila ka qënë dhe është modeli më i mirë në futbollin shqiptar, jo vetëm në konkurimet kombëtare por edhe ato ndërkombëtare. Sipas tyre, një defekt i automjetit që nuk mundësoi mbërritjen në kohë të skuadrës shkodrane të femrave në Gramsh, kurrësesi nuk duhej të ndëshkohej me këtë masë ekstreteme. Në këtë mënyrë, Vllaznia simpatike e futbollit shqiptar do të mungojë për dy vite në konkurimin e kompeticionit të Kupës. Por, gjithësesi, duhet parë se sa dhe si do të ndikojë ky dënim për vijueshmërinë e skuadrës në garën e Kampionatit Kombëtar.