Bilanci i muajit nëntor, Policia e Shtetit: 104 operacione, 700 të arrestuar për vepra të ndryshme penale

700 te arrestuar

700 te arrestuar

Policia e Shtetit bëri të ditur se ka finalizuar 104 operacione dhe megaoperacione gjatë muajit nëntor, duke vënë në pranga 700 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Në bilancin e punës për muajin nëntor, Policia nënvizon angazhimin shumëdimensional të të gjitha strukturave në shërbim të qytetarëve dhe në interes të imazhit të vendit.

“Duke patur si motivacion këtë angazhim, si dhe punën, besueshmërinë dhe integritetin e demonstruar për finalizimin e operacioneve ndërkombëtare, Policia e Shtetit shqiptar fitoi çmimin “Ekselenca 2023”, si partneri më i mirë ndërkombëtar i homologëve britanikë, në një garë ndërmjet 64 agjencive policore nga e gjithë bota”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë.

Gjatë këtij muaji u sekuestruan 124 kilogramë cannabis, mijëra doza të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, droga bonsai dhe amfetaminë, fidanë cannabisi, 24 armë, 15 mjete prerëse, mallra të kontrabanduara me vlerë rreth 52 000 euro, si dhe pasuri me vlerë 1.2 milionë euro dhe rreth 142 000 euro, të përfituara nga vjedhjet dhe nga veprimtaritë e tjera kriminale, të sekuestruara.

Po ashtu u zhvilluan megaoperacionet “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, ku u vunë në pranga shpërndarës droge, shtetas të shpallur në kërkim, posedues armësh për qëllime kriminale dhe autorë krimesh të tjera.

Në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” gjatë nëntorit ranë në pranga 47 prodhues dhe shpërndarës të lëndëve narkotike, duke e çuar numrin e të arrestuarve në kuadër të tij, 473.

Megaoperacioni vijon në të 12 qarqet e vendit, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të cilat dëmtojnë kryesisht të rinjtë.

“Ndërsa megaoperacioni “Sundimi i ligjit” goditi në flagrancë 26 raste të armëmbajtjes pa leje, të krimeve në fushën ekonomike dhe në atë të narkotikëve, ndaloi 5 shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për vepra penale kundër personit, si dhe ndaloi 38 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. Aksionet e befasishme, dhe bashkëpunimi me qytetarët vijojnë për ta çuar më tej këtë megaoperacion.”, njofton policia.

Kurse plani operacional “Filizat” angazhoi në 12 qarqet e vendit, dhjetëra grupe efektivësh që kryen kontrolle në 300 çerdhe dhe kopshte, për të verifikuar zbatimin e ligjit. Për administratorët dhe shtetasit e tjerë që kishin cenuar ligjin në 147 prej këtyre institucioneve, nisën procedimet penale.

“Bashkëpunimi, profesionalizmi dhe besimi i shkëmbyer me partnerët italianë, bënë të mundur arrestimin në Shqipëri, të 3 shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar “PUZZLE 2020”.”, njofton policia.

Policia e Durrësit, e mbështetur nga inteligjenca policore, ndërhyri në kohë për lirimin e një 30-vjeçari të marrë peng nga një trafikant droge dhe dy shokë të tij.

Pengmarrja u krye për shkak të një borxhi mbi veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera në Britani të Madhe.

“32 vjedhje (disa prej tyre me armë, me dhunë ose me thyerje) janë zbardhur nga strukturat e Policisë në qarqe. Autorët e tyre janë identifikuar dhe vënë në pranga, si dhe janë sekuestruar sende të vjedhura.”, informon policia.

Në të njëjtën fushë, operacioni “Polinomi” prangosi në Vaun e Dejës, 4 shtetas të organizuar si grup kriminal, të cilët gjatë vitit të fundit dogjën 4 automjete dhe vodhën në 6 banesa.

Po ashtu u evidentuan 7 raste të kontrabandimit të produkteve ushqimore, veshjeve, aksesorëve ose celularëve, me qëllim tregtimin me pakicë, janë goditur këtë muaj.

Ndërsa 3 call center u zbuluan në kryeqytet, ku mashtroheshin shtetas të huaj, për të investuar në tregje fiktive.

“13 shtetas u arrestuan dhe proceduan penalisht për këto raste, si dhe u sekuestruan 108 njësi kompjuterike sepse i shërbenin mashtrimit në këto subjekte.”, thekson policia.

Sipas policisë, operacionet “Replay 2” dhe “Repeat” prangosën 3 shtetas në kryeqytet, të cilët kishin mashtruar biznesmenë, për të përfituar shuma të konsiderueshme parash.

Gjithashtu, nga kontrollet e shërbimeve u konstatuan dhe u goditën 111 raste të krimeve kundër mjedisit (ndërtime të paligjshme, prerje të pyjeve, gërryerje të shtretërve të lumenjve, zjarrvënie dhe ndotje të ajrit, të ujërave ose të tokës).

“Po ashtu, shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me logjistikë bashkëkohore, kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, me qëllimin e vetëm parandalimin e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera janë vënë në pranga 185 drejtues mjetesh, nga të cilët 126 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 59 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Po ashtu, janë pezulluar 454 leje drejtimi, nga të cilat 314 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 63 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 77 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.”, informon policia.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit.

Kontrollet e bazuara në analizat e riskut, kanë garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve.

“Këto shërbime kanë konstatuar dhe goditur 42 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 13 raste të përdorimit të dokumenteve false, 5 raste të mosdeklarimit të të hollave, 4 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 3 raste të trafikimit të lëndëve narkotike.”, përfundon njoftimi i policisë.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.