Bisedimet e anëtarësimit, MEKI njofton hapjen e grupkapitujve 2 dhe 3

Autoritetet shqiptare njoftuan hapjen zyrtare të dy grupkapitujve të tjerë të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ka qenë Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, që përmes një postimi në rrjetet sociale njoftoi të enjten se bëhet fjalë për grup-kapitullin e dytë dhe të tretë të negociatave.
“Procesi i negociatave ka hyrë në një fazë të re me hapjen e Grupkapitujve 2 dhe 3, të cilët janë thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e konkurrueshmërisë në tregun europian. Nga 17 kapituj negociatash, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit udhëheq bisedimet në 10 prej tyre, duke luajtur një rol kyç në këtë proces“.
Ndërsa ka shpërndarë këtë lajm, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit ka dhënë një pasqyrë të përbërjes së grupkapitujve, si dhe angazhimin që i takon institucionit që drejton ai.
“Grupkapitulli 2 – Tregu i përbashkët” përfshin 9 kapituj, nga të cilët 7 udhëhiqen nga MEKI, duke adresuar çështje të rëndësishme për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punës.
“Grupkapitulli 3 – Konkurrueshmëria” përbëhet nga 8 kapituj, ku 3 prej tyre udhëhiqen nga MEKI, me fokus në politikat e konkurrencës, ndihmën shtetërore dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë”.
Praktika e bisedimeve për anëtarësim e Shqipërisë, e konsideruar rekord, si për nga shpejtësia e çeljes së grupkapitujve, ashtu edhe për nga projeksioni që të mbyllen bisedimet brenda 2027, ka arritur deri tani bilancin e çeljes brenda pak muajsh të 4 nga 6 grupkapitujve që ka gjithsej.