Bisedimet për armëpushim në Gaza, SHBA: Izraeli e ka pranuar pak a shumë planin, pritet Hamasi
Një zyrtar i lartë amerikan ka pranuar se një marrëveshje armëpushimi 6-javore në Gaza pritej të hynte në fuqi, pasi Izraeli e kishte “pranuar pak a shumë planin”, ndërsa pritej që Hamasi të jepte “pëlqimin e tij”.
Palët ndërmjetësuese mes Hamasit dhe Izraelit do të mblidhen sot (3 mars) në Kajro për të arritur një marrëveshje armëpushimi.
“Do të jetë një armëpushim gjashtë-javor në Gaza duke filluar nga sot nëse Hamasi pranon të lirojë kategorinë e përcaktuar të pengjeve si të sëmurët, të plagosurit, të moshuarit dhe gratë”, tha një zyrtar amerikan, raporton CNN.
Zyrtari i administratës Biden, i paidentifikuar, tha se pas arritjes së një armëpushimi do të punohej mes palëve për të arritur “një marrëveshje më të qëndrueshme”.
“Ekziston një marrëveshje kornizë që Izraeli e ka pranua pak a shumë. por pika penguese mbetet nëse Hamasi bie dakord për të liruar një kategori të përcaktuar pengjesh”, tha zyrtari.
SHBA tha më herët se arritja e një marrëveshje armëpushimi për të ndalur luftimet mes Hamasit dhe Izraelit në Gaza ishin “në rrugën e duhur”.
“Ne po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për pengjet dhe një armëpushim të menjëhershëm në Gaza për të paktën 6 javët e ardhshme për të lejuar rritjen e ndihmave humanitare ën Gaza“, tha Biden nga Shtëpia e Bardhë.