Blair pritet të mbajë fjalim në Kuvend në një seancë solemne
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, pritet që ditëve në vazhdim ta vizitojë Kosovën, derisa kryesia e Kuvendit do të mbajë këtë të enjte një mbledhje për të caktuar një seancë solemne ku Blair do të mbajë një fjalim.
Sipas mediave kosovare, Kuvendi ka njoftuar mbajtjen e një seance solemne, ku Blair do të mbajë një fjalim në organin parlamentar.
“Caktimi i Seancës solemne për adresimin e ish Kryeministrit të Britanisë së Madhe, SH. T. Z. Tony Blair, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është thënë në komunikatën për media të kryesisë së Kuvendit.
Megjithatë, nuk dihet dita e saktë e vizitës së tij. Blair konsiderohet një nga zërat më mbështetës të Kosovës gjatë luftës së fundit në vend.
Ai ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe në kohën e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe.
Kujtojmë se Blair iu drejtua Parlamentit të Britanisë së Madhe më 23 mars 1999 duke thënë se ”çdo fshat shqiptar në rajonin e Drenicës është në flakë”.
“Familjet po dëbohen dhe largohen nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Burrat po i ndajnë nga gratë. Ne nuk e dimë se cili është fati i tyre”, pati thënë Blair.