Blinken: Hamasi ka kërkuar ndryshime në propozimin për armëpushim
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën në Doha se Hamasi ka kërkuar disa ndryshime të propozimit për armëpushim në Gazë dhe se disa prej tyre mund të merren në konsideratë.
Por ai shtoi se “disa nga propozimet e Hamasit shkojnë përtej asaj që grupi kishte pranuar më parë në bisedimet për një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë”.
“Ne jemi të vendosur që të përpiqemi të kapërcejmë hendekun me Hamasin”, tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Katarit Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, pas një takimi me të.
Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se nëse Hamasi vazhdon të kundërshtojë përpjekjet për kapërcimin e mosmarrëveshjeve, kjo do të tregojë qartë se “ata kanë zgjedhur vazhdimin e luftës në Gazë”.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit po shqyrtojnë që të martën përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit për armëpushim në Gazë.
John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, tha se Hamasi ia dha përgjigjen e tij Katarit dhe Egjiptit të martën dhe se Shtetet e Bashkuara besojnë se përgjigja ka miratimin e udhëheqësit të lartë të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar.
Kirby nuk pranoi të jepte shumë detaje, pasi tha se një gjë e tillë mund të dëmtonte procesin e negociatave.
“Situata është shumë delikate dhe duhet të kemi shumë faktorë parasysh, veçanërisht jetën e pengjeve dhe familjet e tyre. Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm me ato që themi dhe si i themi”, tha ai.
Hamasi dhe grupi tjetër më i vogël militant Xhihadi Islamik, thonë se janë të gatshëm ta shohin “nën dritë pozitive mundësinë e një marrëveshjeje”, duke i dhënë përparësi “përfundimit të plotë” të luftës.
Presidenti amerikan Joe Biden bëri publike detaje të propozimit të armëpushimit. Ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë theksuar vazhdimisht se ai është një propozim izraelit. Sekretari Blinken tha të martën se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ripohoi angazhimin e tij ndaj marrëveshjes citon VOA.
Mes palëve ka pika të mundshme mosmarrëveshjeje, përfshirë kërkesën e Hamasit që Izraeli të tërheqë forcat nga Gaza dhe qëndrimin e Izraelit se synimi i tij është mposhtja e Hamasit.