Blinken: Izraeli po ndërmerr hapa për të mbrojtur civilët në jug. Zyrtarët e OKB: Narrativë e rrezikshme e rreme
Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni (Antony) Blinken beson se Izraeli po ndërmerr hapa për të mbrojtur civilët në ofensivën e tyre në Gazën jugore.
Blinken u shpreh se po shqyrtohet mundësia për përcaktimin nga Izraeli të zonave të sigurta.
“Unë u thashë atyre shumë qartë kur isha atje vetëm një javë më parë, ne nuk mund të kemi një përsëritje të asaj që ndodhi në veri në jug për sa i përket dëmit që u bëhet civilëve. Ajo që ne po shohim janë zona të përcaktuara qartë nga Izraeli që janë zona të sigurta, ku nuk do të ketë zjarr apo ushtri. Ne kemi parë përpjekje për t’u siguruar që njerëzit e dinë se duhet të lëvizin – dhe jo në të gjithë qytetin, por vetëm në lagje diskrete. Pra, kjo është pozitive”, tha Blinken.
Sidoqoftë, zyrtarët e OKB-së i kanë kundërshtuar vazhdimisht këto zona të sigurta, duke thënë se ideja e çdo “zone të sigurt” është një “narrativë e rrezikshme e rreme”.
“Këto janë pjesë të vogla toke djerrë. Ata nuk kanë ujë, nuk kanë lehtësira, nuk kanë strehë nga i ftohti, nuk kanë kanalizime“, tha një zëdhënës i Unicef-it, Xhejms (James) Elder . Zyrtarë të tjerë të OKB-së dhe vendas kanë bërë gjithashtu thirrje të ngjashme alarmuese.
OKB-ja ka thënë gjithashtu se nuk ka mbetur ku të evakuohen njerëzit në jug.