Blinken kritikon Izraelin:“S’keni licencë për t’i çnjerëzuar të tjerët”
Në një qortim thumbues rreth luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se sulmet e 7 tetorit të Hamasit nuk i japin Izraelit të drejtën për të kryer krime çnjerëzore. “Izraelitët u çnjerëzuan në mënyrën më të tmerrshme më 7 tetor. Pengjet janë çnjerëzuar përditë nga ajo kohë, por kjo nuk mund të jetë licencë për t’i çnjerëzuar të tjerët” – tha krye diplomati amerikan në një konferencë për gazetarë në Tel Aviv.
Shtetet e Bashkuara nuk e kanë fshehur pakënaqësinë e tyre me Izraelin për numrin e viktimave civile në Rripin e Gazës dhe për situatën humanitare atje gjatë luftës, por kritika e sekretarit I cili po zhvillon një tjetër tur në Lindjen e Mesme për të gjetur një zgjidhje për konfliktin ishte më e ashpra deri më tani, thekson gazeta izraelite. Megjithatë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se kishte urdhëruar trupat të “përgatiteshin për të operuar” në qytet dhe se “fitore totale” mbi Hamasin ishte vetëm disa muaj larg, duke rrëzuar kështu mundësinë e diskutimeve për arritjen e një armëpushimi.
Blinken u tha gazetarëve në Tel Aviv se kundërpropozimi i Hamasit të paktën ofronte një mundësi “për të ndjekur negociatat”, dhe me gjithë përkushtimin e Netanjahut për të vazhduar me bombardimet, sekretari amerikan tha se ai ende shihte “hapësirë për arritjen e marrëveshjes”. Që nga fillimi i luftimeve, në Gaza kanë humbur jetën 27 mijë palestinezë, disa mijëra besohet të jenë ende të pagjetur nën rrënojat e ndërtesave, dhe të plagosur sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje janë më shumë se 60 mijë.