Blinken në Jordani, vijojnë përpjekjet për të mos lejuar që lufta në Gaza të përhapet në rajon
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Jordani, si pjesë e një turi në Lindjen e Mesme, ku përfshihen edhe vizitat në Izrael dhe Bregun Perëndimor të pushtuar. Në Aman, Blinken zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm të Jordanisë Ajman Safadi.
Sekretari amerikan Blinken pritet të zhvillojë një takim të mbyllur edhe me Mbretin e Jordanisë Abdullah II. Ndërsa ka vizituar një magazinë të Programit Botëror të Ushqimit, ku bisedoi me punonjësit humanitarë mbi sfidat e dërgimit të ndihmave në Gaza, Blinken tha se ishte e domosdoshme, që pasi ndihmat të mbërrinin në Gaza të mund të shpërndaheshin në të gjithë enklavën.
Në foskus të bisedimeve të Blinken me zyrtarët e lartë në Aman është gjetja e mënyrave për rrugën drejt paqes në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit, i nisur tre muaj më parë. Vizita e kryediplomatit amerikan në shtetet arabe zhvillohet pas frikës se lufta në Gaza mund të shtrihet edhe në vende të tjera të rajonit.
Gjatë një vizite në Greqi të shtunën, ku Sekretari i Shtetit takoi kryeministrin Kiriakos Micotakis tha se do të sigurohet që konflikti në Lindjen e Mesme të mos përhapet më gjerë. Më herët ai vizitoi edhe Turqinë, ku u takua me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Hakan Fidan.