Blinken: Reforma në drejtësi dhe partneriteti ushtarak, prioritetet kyçe mes SHBA-ve dhe Shqipërisë
Sekretari Amerikan i Shtetit pak minuta se të ngjiste shkallët e Kryeministrisë ku do të mbahet konferenca e përbashkët për mediat, ka falënderuar ambasadën amerikane për punën që ka bërë bashkë me qeverinë shqiptare mbi pritjen e afganëve dhe ecurinë e reformës në drejtësi.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Blinken shkruan se prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes ambasadës amerikane në Shqipëri ka qenë mbështetja për reformën në drejtësi dhe forcimin e partneriteteve ushtarake.
“Faleminderit @USEmbassyTirana për punën tuaj të rëndësishme në prioritetet kyçe, nga ndihma për rivendosjen e mijëra aleatëve afganë deri te mbështetja e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe forcimi i partneriteteve tona ushtarake”, shkruan Bliken.
Ndërkaq, më herët Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken zhvilloi një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe me përfaqësuesit e tjerë të drejtësisë.
Gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani solli ekskluzivisht pamjet nga takimi ku është rikonfirmuar mbështetja e palëkundur që SHBA jep për reformën në drejtësi dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë në vend.
Takimi mes Blinken dhe Dumanit dhe përfaqësuesve të tjerë të drejtësisë zgjati pak minuta në një nga sallat e Piramidës, ku sekretari amerikan ishte pak më parë në një takim me të rinjtë që janë pjesë e programeve edukuese që financohen nga SHBA.
Takimi me kreun e SPAK është një mesazh i qartë që SHBA jep për mbështetjen e këtij institucioni të lindur nga drejtësia e re dhe punës së tyre lidhur me arrestimet e bujshëm që ka bërë gjatë kohës së fundit në nivele të larat zyrtarësh.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken po zhvillon sot (15 shkurt) një vizitë disa orëshe në Tiranë. Kjo vizitë tregon marrëdhëniet e ngushta që dy vendet kanë mes tyre dhe se SHBA e shikon Shqipërinë një partner dhe aleat kyç në rajon.