Blinken takon Zelenskin në Kiev, premton mbërritjen e ndihmës ushtarake amerikane
Gjatë një takimi me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski në Kiev, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se disa armatime nga paketa e fundit e ndihmës ushtarake, që u miratua më herët nga SHBA, tashmë kishte mbërritur në Kiev, ndërsa pjesa tjetër ishte në rrugë e sipër.
“Ne e dimë se kjo është një kohë sfiduese, por dimë gjithashtu se furnizimet ushtarake janë duke ardhur në Ukrainë. Një pjesë e tyre ka mbërritur, por do të vijnë më shumë dhe do të sjellin një ndryshim të vërtetë kundër agresionit të vazhdueshëm rus në fushën e betejës. Jemi të vendosur, së bashku me shumë vende partnere të Ukrainës, për t’u siguruar që të keni sukses në fushën e betejës”, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken
Nga ana tjetër presidenti ukrainas Zelensky tha se kishte qenë një periudhë e vështirë për trupat ushtarake në terren veçanërisht në lindje të vendit. Ai falënderoi Sekretarin Blinken për paketën e ndihmës ushtarake të miratuar muajin e kaluar nga Kongresi amerikan.
“Vendimi për paketën ushtarake ishte vendimtar për ne, është shumë e rëndësishme ta marrim atë sa më shpejt që të jetë e mundur. Pika e dytë është mbrojtja ajrore. Defiçiti më i madh për ne . Aktualisht na duhen dy sisteme raketore “Patriot” për rajonin e Harkivit, sepse ka njerëz që po sulmohen, civilë dhe luftëtarë. Të gjithë janë nën sulmet e raketave ruse”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zalensky.
Më herët Sekretari Blinken u shpreh se u rikthye në Kiev për të treguar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, ndërsa populli mbrohet kundër agresionit rus. Vizita e tij vjen ndërsa Ukraina përpiqet të ndalojë operacionet ruse për pushtimin e qytetit të dytë më të madh Harkiv. Kjo është vizita e katërt që kryediplomati amerikan zhvillon në Ukrainë që nga nisja e pushtimit të Rusisë në shkurt të vitit 2022.