Bllokimi i qytetarëve në kufirin Kroaci-Serbi, Gërvalla: Vuçiq po jetëson kërcënimet
Teksa kanë kaluar më shumë se 24 orë nga bllokimi i qytetarëve të Kosovës në kufirin Kroaci-Serbi, një pjesë e të cilëve Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka nisur të jetësojë kërcënimet e tij pas votimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Unë jam e mendimit që një veprim i tillë e ka një arsye që bazohet në ditën e djeshme. Jemi dëshmitar të deklaratave kërcënuese të Vuçiqit dhe ka kërcënuar jo vetëm Kosovën, por edhe partnerët ndërkombëtarë që vota pro Kosovës do ketë pasoja.
Në këtë kontekst e shoh unë ndalimin e udhëtarëve atje. Jo vetëm në autobus, por edhe në vetura dhe sidomos ndalimin e shumë zyrtarëve të Policisë. Nga biseda direkte që kemi pasur nga udhëtarët atje, e dimë që janë shkelur masivisht të drejtat e qytetarëve tanë.
Shumë prej tyre kur janë intervisutar atje janë detyruar të flitet për ushtarët e UÇK-së, se mos është dikush prej tyre aty”, deklaroi Gërvalla.
“Një pjesë e tyre janë liruar. Nuk mund të japim informacion që janë liruar të gjithë. Por, do ti japim informacionet e sakta kur të i verifikojmë të gjitha.
Thirrje bëj vazhdimisht që të evitohet kalimi nëpër Serbi sepse nuk mund të dimë se cilat do të jetë veprimet e Vuçiçit”, ka deklaruar Gërvalla.
Në takimin e zhvilluar me ambasadorët e vendeve të QUINTI-it dhe përfaqësuesit e BE-së, Ministrja ka kërkuar reagim të qartë dhe të prerë.
“Sot me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlen kemi takuar ambasadorët e QUINT dhe përfaqësuesin e BE në Kosovë. I kemi informuar me aq sa kemi pasur detaje, dhe kemi kërkuar një reagim të qartë dhe të prerë, jo vetëm për të parandaluar një veprim të tillë në të ardhmen por dhe për të demostruar një unitet mes faktorit demokratik ndaj qasjes që Serbia ka treguar sot.
Sot është shkelur edhe marrëveshja për mobilitetin, prandaj ne duhet të jemi të përgatitur dhe vigjilent”, tha ajo.
Ministrja bëri me dije se një pjesë e qytetarëve janë liruar.