Bllokimi i Senatit për ndihmën ndaj Ukrainës, Zelenski udhëton sot drejt SHBA-së, takim me Bajden
Presidenti i SHBA Xho Bajden (Joe Biden) ka ftuar homologun e tij ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskiy) në Shtëpinë e Bardhë, disa ditë pasi administrata e tij paralajmëroi se do t’i mbaronin paratë për ndihmën për Ukrainën.
“Takimi ka për qëllim “të nënvizojë angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur popullin e Ukrainës ndërsa ata mbrojnë veten kundër pushtimit brutal të Rusisë. Ndërsa Rusia shton sulmet e saj me raketa dhe dron kundër Ukrainës, udhëheqësit do të diskutojnë nevojat urgjente të Ukrainës dhe rëndësinë jetike të mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në këtë moment kritik”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të dielën (10 dhjetor).
Senatorët republikanë javën e kaluar bllokuan 106 miliardë dollarë ndihmë urgjente kryesisht për Ukrainën dhe Izraelin, pasi konservatorët kundërshtuan përjashtimin e reformave të imigracionit që kishin kërkuar si pjesë e paketës.
Zyra e Zelenskit tha gjithashtu se udhëheqësi ukrainas do të mbërrinte në Uashington të hënën (11 dhjetor) dhe se ai do të takohej me Bajden gjatë një vizite pune që do të përfshinte “një seri takimesh dhe diskutimesh”.
Zelenski është ftuar gjithashtu për t’iu drejtuar senatorëve amerikanë të martën (12 dhjetor) në mëngjes në Kapitol, tha një ndihmës i udhëheqjes së Senatit.
Një takim privat midis Zelenskit dhe Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Xhonson (Johnson) do të mbahet gjithashtu në Kapitol.