Bllokohet rruga e vjetër Vau Dejës-Lezhë / Nis puna për krijimin e rrugës alternative
Kjo e moshuar është nisur në drejtim të zonës së Nënshatit. Për shkak të rrugës së bllokuar ajo u detyrua të zbresë. Pjesën e mbetur tregon se do e përshkojë në këmbë.
Aksi Vau Dejës-Lezhë përmes rrugës së vjetër u bllokua. Shkak u bë dëmtimi i urës së Hajmelit. Në fakt, edhe më herët banorët kanë ngritur shqetësimin e dëmtimit të kësaj ure e cila me shirat e rëna gjatës natës mori goditjen finale. Elton Nikolla është inxhinier i firmës së kontraktuar nga ARRSH për mirëmbajtjen e këtij aksi. Menjëherë nisi puna për krijimin e një by-passi devijues i cili pritet të jetë funksional që ditën e enjte.
Ky aks ka një lëvizshmëri të lartë pasi lidh zonën e Vaut të Dejës me Pukën dhe me Lezhën.
Edhe më herët, sipas inxhinierit, ka qënë planifikuar ndërhyrja mbi këtë urë. Por për shkak se duhej një rrugë alternative punimet nuk kishin nisur. Tashmë me bllokimin e qarkullimit pritet që ARRSH me anë të firmës së kontraktuar të ndërhyjë për të rikthyer qarkullimin në këtë aks, i cili lidh 5 fshatra me të paktën 4 mijë banorë.